Demokratët janë vënë përballë dy datash për të mbledhur një Kuvend Kombëtar. Nga njëra anë ish-kryetari Sali Berisha pretendon se 4200 delegatë kanë mbledhur firma për të thirrur një Kuvend më 11 dhjetor, ndërkohë që nga ana tjetër kryesia e PD-së, miratoi propozimin e Lulzim Bashës për të mbledhur kuvend më 18 dhjetor.
Por si ndahet grupi parlamentar i PD-së mes këtyre dy datave? Thirrjes së mbërritur nga takimet e Foltores që Sali Berisha ka zhvilluar muajt e fundit në qytete të ndryshme të vendit, i janë përgjigjur 11 parlamentarë, ku spikasin emra si Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, e Luciano Boçi.
Dyfishi i deputetëve pritet t’i përgjigjen thirrjes së kryetarit Basha për Kuvendin e 18 dhjetorit, ku spikat aparati zyrtar i partisë me 4 nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe kreun e grupit parlamentar.
Deputetja e Korçës, Sorina Koti, e kontaktuar nga A2 CNN, pohoi se do të shkojë tek të dyja kuvendet, një qasje që ishte munduar ta shprehte edhe në Foltoren e organizuar në qytetin e saj.
Nga grupi parlamentar demokrat janë 16 deputetë që nuk kanë pranuar të shprehen publikisht mbi qëndrimin që do të mbajnë, apo që nuk iu përgjigjen pyetjes së A2 CNN. Mes tyre dallojnë Xhelal Mziu, Zef Hila dhe Tomorr Alizoti.
Shumica e grupit parlamentar anon qartë në favor të kryetarit Basha, por në krah të Sali Berishës kanë dalë 3 prej deputetëve me më shumë preferenca në zgjedhjet e 25 prillit, që kanë zgjedhur të mos injorojnë vullnetin e bazës demokrate ku janë votuar. Bëhet fjalë për Agron Shehajn, Belind Këlliçin dhe Luçiano Boçin, ky i fundit i vetmi nga listat e PD që arriti të thyente herësin e të futej në Parlament.
Pavarësisht se si ndahet grupi parlamentar i PD, Sali Berisha pretendon se ka mbështetjen e 4200 delegatëve që kanë firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit, që përbëjnë më shumë se 50% të anëtarëve të këtij forumi, gjë që do të mundësonte vendimmarrjen për ndryshimet statutore të paralajmëruara.