Dy ditë më parë, Kryeministri dhe Kryetari i importuar i Bashkisë Shkodër prezantuan projektin shkatërrues të përbindëshit prej betoni: një kullë 100 metra të lartë që do të ndërtohet në zemrën historike të qytetit tonë. Qeveria që Shkodrës së kulturës e dijes i solli diskrimin më të madh ndër shqiptarë që në vitin 2013, na paraqitet sot me këtë projekt monstruoz, i cili njësoj si pushteti popullor i komunistëve ka vetëm një qëllim: shkatërrimin dhe fshirjen e memorjes kolektive që familjet shkodrane kanë ruajtur për breza të tërë.
Në një kohë kur shkodranët po përballen me emigracionin masiv, varfërinë e rrënjosur dhe korrupsionin e përhapur, kjo kullë na paraqitet në mënyrë cinike si zgjidhja e problemeve të qytetit tonë. Kjo është fytyra e vërtetë e Partisë Socialiste! Paratë e taksapaguesve shpenzohen për propagandë dhe fasadë, ndërkohë që synojnë të zhdukin identitetin e rrënjosur thellë të qytetit tonë.
Bashkëqytetarë të nderuar, projekti i kullës shkel në mënyrë flagrante Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar nga KKT më 16 tetor 2017. Ky projekt nuk është shqyrtuar nga ekspertët dhe nuk është sjellë në dëgjesa publike ku duhen të dëgjohen zërat dhe shqetësimet e qytetarëve shkodranë, që, siç e kemi ndjekur të gjithë këto ditë, janë të shumta.
A është kjo e ardhmja që ne e shohim për Shkodrën? A është masakra urbane ajo që dëshirojmë për qytetin tonë të dashur?
Shkodra ka një traditë qe nuk mund të humbë, që nuk duhet të humbë dhe nuk duhet lane me humbë – thoshte shkodrani i madh, Arshi Pipa.
Ne, qytetarët e Shkodrës, nuk do të lejojmë që banda e Partisë Socialiste të shkatërrojë trashëgiminë dhe identitetin e çmuar të qytetit tonë.
Në emër të Partisë Demokratike, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve krenarë të Shkodrës të bashkohen me ne në këtë betejë jetike për të mbrojtur trashëgiminë e qytetit tonë. Shkodra është e jona, dhe së bashku, do ta mbrojmë atë! /Deklaratë për shtyp e PD Shkodër, nga nënkryetarja Irena SHESTANI/