Mamaja dhe babai shoqëronin djalin e tyre me tren çdo vit në verë për tek gjyshja dhe më pas ktheheshin në shtëpi me të njëjtin tren të nesërmen. Djali, kur u rrit pak, i tha prindërve të tij: “Unë tani u rrita, pse nuk më lini të shkoj vetëm këtë vit te gjyshja?”
Pas një debati të shkurtër, prindërit ranë dakord. Ata e shoqëruan deri te stacioni i trenit dhe po i jepnin porositë e fundit nga dritarja. Ndërsa djali vazhdon të përsërisë: “Po po, e di, e di, ma keni thënë njëqind herë …!”
Në momentin e fundit kur treni po bëhej gati të nisej, babi i futi diçka në xhep dhe i tha: “Bir, nëse ndodh që të ndihesh keq ose të trembesh, kjo është për ty!”
Djali mbeti vetëm, i ulur në një vagon, pa prindër, për herë të parë, duke parë nga dritarja. Rreth e rrotull njerëz të huaj shtyjnë, bëjnë zhurmë, hyjnë e dalin dhe faturino bën komente për faktin se ai është vetëm. Kishte edhe nga ata që e shihnin me keqardhje dhe pëshpërisnin, “I shkreti, si mund ta lënë vetëm këtë fëmijë…!”
Djali ndihet në siklet gjithnjë e më shumë nga vështrimet e të tjerëve. Një moment filloi të frikësohet. Ai uli kokën, u struk në një cep të sediljes dhe lotët fillojnë të rrjedhin. Për një çast ai kujtoi që babai i futi diçka në xhep para se të nisej dhe me dorën që po i dridhej kërkon në xhep. Gjeti një letër, e hapi duke qarë dhe lexon: “Bir, unë jam në vagonin e fundit”.
Mësimi: Në jetë duhet ti lëmë fëmijët të shkojnë dhe të kemi besim tek ata, por gjithmonë duhet të jemi në vagonin e fundit që të mos kenë frikë… /Nga Mirush KABASHI/