Bizneset e Shkodrës, ato të prekura nga pandemia Covid- 19, kanë sosur durimin. Vështirësitë e krijuara nga masat kufizuese dhe oraret e reduktuara të shërbimit në pikun e sezonit veror, kanë sjellë reagimin e natyrshëm dhe ekstrem të tyre. Në rrjetet sociale po qarkullon një njoftim, ku të gjitha bisneset e prekura, punonjësit e penalizuar nga kjo situatë e rëndë, ti bashkohen protestës.
Është zgjedhur sheshi “Luigj Gurakuqi”, më i frekuentuari në Shkodër dhe një orar pik siç është ora 19.00 e datës 19 korrik 2021. Parashikohet pjesëmarrje e gjërë, duke patur parasysh kategoritë e prekura nga masat kufizuese të pandemisë. Edhe pse, këto kohë ka rezultuar e vështirë që të mblidhen protestues në shesh. Megjithatë, këtë herë bëhet fjalë për çeshtje të pastra ekonomike dhe ndjeshmëria duhet të jetë më e lartë.
PUBLIKIMI NË RRJETE SOCIALE PËR PROTESTËN
“19 KORRIK, DITËN E HËNË, ORA 19.00, NË SHESHIN “LUIGJ GURAKUQI”
Të bëhemi BASHKË! Ti themi stop masace kufizuese ndaj Covid 19 që po falimentojnë baret dhe lokalet e Shkodrës. Ora 22.00 nuk frenon përhapjen e virusit, STOP MASHTRIMEVE. Ftohen të gjithë punonjësit, kameraman, dj, fotograf, kuzhiniera që kanë lidhje me dasmat, drejtuesit e bareve, restoranteve dhe lokale të natës në Shkodër që të marrin pjesë në këtë protestë paqësore për ti bërë thirrje Qeverisë Shqiptare të lehtësojë masat kufizuese.
Biznesi është në KRIZË! NA LINI TË PUNOJMË! /ShkodraWeb Media/