Informacion sqarues mbi udhëzimin e DPD mbi blerjet online
Nisur nga interesi i disa mediave mbi Udhëzimin e nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbi blerjet online, ju sqarojmë si më poshtë:
Në bazë të Kodit Doganor, çdo dërgesë mallrash me karakter jotregtar, e përbërë nga mallra me vlerë të papërfillshme, të dërguara drejtpërdrejt nga një vend tjetër te një marrës në Republikën e Shqipërisë, përjashtohet nga detyrimet e importit.
Mallra me vlerë të papërfillshme janë:
a) mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro;
b) dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro.
Për dërgesat postare, me natyrë jo tregtare, vlera e të cilave e tejkalon kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.
Lidhur sa më sipër Udhëzimi i Doganave, që ka hyrë në fuqi gjatë muajit Mars, nuk ndryshon asgjë, por saktëson procedurën dhe vlerën e taksueshme për blerjet online.
Doganat kanë dhënë dhe një rast konkret:
“P.sh nëse një këmishë është blerë online me një çmim 20 euro dhe shpenzimi është 5 euro atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me mall me vlerë të papërfillshme, sepse çmimi i këmishës në vetvete është nën kufirin 22 euro.
Por, në rast se këmisha blihet me një çmim prej 23 euro dhe shpenzimi i transportit është 5 euro, atëherë në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një mall me vlerë të papërfillshme. Në këtë rast për të përllogaritur detyrimet që duhen paguar në doganë, shumës prej 23 euro do t’i shtohen edhe shpenzimet e transportit”.
Sqarojmë gjithashtu, se në vlerë për qëllime doganore të mallrave përfshihen, vlera (fatura e paguar e mallit) + shpenzime transporti dhe sigurimi i tij nëse ka. /Njoftim i Drejtoirsë së Përgjithshme të Doganave/