Kombëtarja e Shqipërisë në boks kthehet nga Zagrebi i Kroacisë duke patur dy kampionë ballkanikë në radhët e saj. Ekipi i drejtuar nga Zef Gjoni nxorri në finale katër boksierë, prej të cilëve Denis Nurja në peshën 69 kg dhe Alban Beqiri në peshën 75 kg, u shpallën kampionë të Ballkanit.
Në përbërje të ekipit tonë kombëtar ishin boksierët Krenar Zeneli, Rexhildo Zenel, Denis Nurja, Alban Beqiri, Arjon Kajoshi dhe Indrit Laçi. Drejtuesit e Kombëtares tonë para nisjes për në Kroaci ishin shprehur të bindur se boksierët tanë nuk do të ktheheshin pa medalje sepse forma e tyre sportive ishte shumë e mirë, megjithatë do te ishte ringu i Zagrebit që do ta tregonte më mirë këtë gjë.
E kështu ndodhi, duke sjellë në Shqipëri dy tituj kampion Ballkani. Kampionati ballkanik i boksit startoi me 6 maj në Zagreb të Kroacisë kampionat ku mori pjesë edhe Kombëtarja shqiptare nën drejtimin e trajnereve Zef Gjoni, Sead Bushati dhe Lazarin Vila. /ShkodraWeb/