Të paktën dy nga bashkitë e audituara së fundmi nga Kontolli i Lartë i Shtetit (KLSH) janë të përfshira në një situatë të rrezikshme borxhesh për të cilën është rekomanduar që të ngrihen grupe pune dhe të hartohen plane për zgjidhje.
KLSH nënvizon në raportin e tij se humbja e aftësisë paguese është diçka që mund të ndodhë nëse nuk reflektohet për zgjidhjen çka do të thotë se Bashkitë duhet t’i vënë kyçin derës. Praktikisht kjo do të thotë që të shpallin “falimentin”. Rastet ku është evidentuar një situatë problematike me detyrimet e prapambetura i përkasin Bashkive të Lezhës dhe të Lushnjës.
Konkretisht në Bashkinë Lezhë, KLSH ka konstatuar se nuk janë analizuar detyrimet ndaj të tretëve dhe nuk janë marrë masa për shlyerjen me përparësi të detyrimeve të prapambetura që kanë tendencë në rritje.
“Sipas të dhënave të pasqyruara në bilancin e vitit 2015 (çelur në vitin 2016), detyrimet ndaj të tretëve janë 446,279 mijë lekë, ndërsa në fund vitit 2017 janë 680,345 mijë lekë, ose janë rritur me 52%. Kryetari i Bashkisë Lezhë, të ngrejë një grup pune me specialistë me përvojë nga të gjithë sektorët për të marrë në analizë detyrimet kreditore dhe në fazën e përgatitjes së PBA dhe buxhetit vjetore 2019, të planifikojë fondet për mbulimin e detyrimeve ndaj të tretëve me qëllim përmirësimin e performancë në planifikimin” nënvizon KLSH.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Bashkinë e Lushnjës ku detyrimet ndaj të tretëve për furnzimin me mallra e shërbime kapin vlera qindramilionëshe dhe mbi të gjitha janë detyrime që nisin që nga një dekadë më parë.
“Në llogarinë 401–408 “Furnitorë e llogari të lidhura me to” nga totali prej 203,308,136 lekë rezultojnë detyrime kreditore ndaj furnitorëve për mallra shërbime dhe punime të kryera, i mbartur nga vitet 2008 deri në vitin 2011. Detyrimet e prapambetura në vlerën 203,308,136 lekë janë shndërruar në një burim i vazhdueshëm i rrezikut financiar për subjektin. Bashkia Lushnjë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura është vendosur në vështirësi serioze financiare dhe nëse nuk del nga kjo situatë, atëherë ajo mund të hyjë në situatën e paaftësisë paguese” thuhet në raportin e KLSH.
Edhe në këtë rast rekomandimi që bëhet është ai i hartimit të një plani për zgjidhjen e ngërçit me detyrimet e prapambetura. /Monitor/