Gjykata e Apelit, Tiranë, ka liruar nga qelia infermieren Ronida Hysi, duke e lënë në “arrest shtëpie”. Hysi u arrestua pasi u akuzua se i kishte vjedhur paratë nga bankomati, pacientit që humbi jetën nga koronavirusi, në spitalin Covid1.
Në dosjen hetimore të prokurorisë, ku u hetua infermierja e Infektivit Ronida Hysi, shpjegohet me detaje se si u zbulua se ishte pikërisht e reja që i kishte zbrazur llogarinë pacientit që ndërroi jetë nga koronavirusi
Sipas dosjes hetimore, kamerat e sigurisë të një bankomati në QSUT kanë kapur në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor “një vajzë me flokë të kapura, që kishte probleme me të ecurën në këmbën e majtë që kishte kryer veprime me kartën e pacientit Kamber D.”.
Pas kësaj, prokurorët kanë administruar pamjet e kamerave të sigurisë së Infektivit ku në orën 07:53 duket duke dalë nga ambientet e spitalit e njëjta vajzë që është parë 7 minuta më vonë tek bankomati në QSUT.
Pasi kanë bërë krahasimet dhe kanë marrë regjistrimin e personave që ishin në shërbim në turnin e tretë tek Infektivi gjatë natës së datës 24 dhjetor, prokurorët kanë konstatuar se e dyshuara ishte pikërisht Ronida Hysi.
Në dosje shkruhet se kur është marrë në pyetje, Ronida Hysi nuk ka mohuar përdorimin e kartës së pacientit duke thënë se portofolin e kishte gjetur në ashensorin e repartit Infektiv gjatë punës ku aty brenda ishte edhe kodi PIN.
“E gjeti, nuk e vodhi” ka qenë edhe thelbi i mbrojtjes së Ronida Hysit nga avokati i saj në gjykatë, gjë të cilën gjykatësit nuk e kanë marrë parasysh duke dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.