Zyrtarët e zgjedhur në Guam, po sigurojnë banorët se territori i Shteteve të Bashkuara është i sigurt, pas pretendimeve të Koresë së Veriut se po shqyrton planin e saj për “sulm me raketa” në ishullin e rëndësishëm strategjik të Paqësorit. Në një deklaratë të lëshuar herët të mërkurën, Agjencia Shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, tha se forcat e armatosura po “shqyrtojnë me kujdes” një plan për sulm me raketa në Guam. Në bazat ushtarake amerikane në territorin e ishullit në Paqësor, besohet se është i vendosur arsenali më i madh bërthamor amerikan, jashtë Amerikës kontinentale.
Një zëdhënës i ushtrisë së Koresë së Veriut, citohet të ketë thënë se plani i sulmit “do të zbatohet në mënyrë të shumëfishte dhe të vazhdueshme në çdo moment”, sapo të jetë dhënë urdhri nga Kim Jong Un. Guvernatori i Guamit, Eddie Calvo, tha nj një fjalim në televizion se nuk ka ndonjë kërcënim për ishullin, por theksoi se “ai është i përgatitur për çdo mundësi”.
Ai tha se “Guami është tokë amerikane…jo vetëm një bazë ushtarake” dhe se është siguruar nga Shtëpia e Bardhë se një sulm mbi Guamin do të konsiderohet si sulm mbi Shtetet e Bashkuara.
Madeleine Bordallo, e deleguar e zgjedhur e kongresit në Guam, shprehu po ashtu bindjen në aftësinë e Shteteve të Bashkuar për të mbrojtur ishullin pas kërcënimeve “tejet shqetësuese” të Koresë së Veriut, por i bëri thirrje presidentit Donald Trump që të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbutur tensionet.
Zhvillimet pasuan një ditë të ngarkuar me retorikë të ashpër ndërmjet Washingtonit dhe Phenianit. Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri një paralajmërim të ashpër ndaj Koresë së Veriut, duke theksuar që nëse ajo vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara “do të përballet me një zjarr dhe furi të tillë, që bota nuk e ka parë ndonjëherë.”
Presidenti Trump u tha gazetarëve se udhëheqësi i Koresë së Veriut, po sillet në mënyrë kërcënuese që kur Shtetet e Bashkuara forcuan sanksionet ndaj shtetit të izoluar komunist dhe sigurua një votim të njëzëshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të dënuar Phenianin.
Duke folur në klubin e tij të golfit në New Jersey, presidenti Trump përsëriti paralajmërimin se Kim po rrezikon vendin e tij të varfër të përballet me “një zjarr dhe furi, sinqerisht me një fuqi që kjo botë nuk e ka parë kurrë më parë”.
Presidenti i bëri komentet si reagim ndaj një njoftimi të gazetës “Washington Post” dhe televizionit NBC News, ku thuhej se zyrtarët amerikanë të zbulimit vlerësojnë që Koreja e Veriut ka prodhuar me sukses një mbushje bërthamore në përmasa të vogla, e cila mund të montohet në raketat e saj.
Nëse është e vërtetë, kjo nënkupton se Koreja e Veriut ka kaluar një prag të rëndësishëm në rrugën për t’u bërë një fuqi e plotë bërthamore.
Mediat, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të zbulimit, thonë se analiza që arrin në një përfundim të tillë, është kryer muajin e kaluar nga Agjencia e Zbulimit të Mbrojtjes.
Zyrtarët e Agjencisë nuk pranuan të komentojnë. As zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk ka komentuar.
Ndërkaq, ministria e mbrojtjes e Japonisë vlerësoi në një raport të martën se është e mundur që Koreja e Veriut të ketë arritur miniaturizimin e armëve bërthamore dhe të ketë prodhuar mbushje bërthamore.
Presidenti Donald Trump dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara thonë se sanksionet e reja kundër Koresë së Veriut janë të domosdoshme për të ndalur programin bërthamor të këtij vendi.
Në një koment në Twitter zoti Trump shkruante sot se: “pas shumë vitesh dështimi, vendet janë bërë bashkë për t’iu përgjigjur përfundimisht rreziqeve që paraqet Koreja e Veriut. Ne duhet të jemi të ashpër dhe vendimtarë,”shkruante presidenti amerikan.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha gjatë një interviste për rrjetin NBC se nuk është e sigurt nëse sanksionet do të funksionojnë. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nuk ka shprehur interes për t’u larguar nga programi bërthamor dhe balistik dhe vendi u ka mbijetuar sanksioneve të vendosura në të shkuarën.
Por ambasadorja Haley thotë se sanksionet e detyrojnë Kim Jung Unin të rishikojë “strategjinë e tij dhe të vendosë, duke i bërë pyetjen vetes, se nëse godet Shtetet e Bashkuara, a mendon se do të fitojë?/voa/