Bëri një maratonë TV, kolegu Fevziu, sepse ka 20 vjet që e mban në shpinë të vet atë televizion. U habitën shumë dhe shumë të tjerë u nervozuan, sepse te festa e Fevzos, ashtu si edhe 10 vite më parë, erdhi e gjithë dynjaja, dynjaja e spektaklit, e gazetarisë dhe e politikës. Sepse dukshëm kanë nevojë për Fevzon dhe për “Opinionin”, që ka fituar të gjitha maratonat televizive, diku mirë, diku çka dhe diku shumë mirë, por gjithmonë aty, në këmbë dhe në ekran.
Shumë trokitën gotat, shumë të tjerë edhe hodhën ndonjë romuz apo ndonjë ironi, sepse ju duk shumë e madhe “Festa”. Por ishte një Festë private kjo, mund ta bënin edhe te Sheshi Skënderbej, po të merrnin leje, ku qëndron problem këtu? Kur nuk harxhohet lek shteti dhe lek taksash, sbesoj se ka ndodhur ndonjë gjë që nuk shkon.
Bravo Fevzo!
Vure tërë “elitën” e fshatit tonë shqiptar në rresht, si nevojtarë që janë për dritaren tënde mediatike. Dhe unë mendoj që gazetarët që kanë dhe ata kritikat e tyre për këtë, duhet të të thonë sëpari flm, sepse ngrite për vete, por edhe për të tjerët, stekën e respektit për gazetarët, në këtë llum mosrespekti që na rrethon.
Sepse kryeministri, e pas tij edhe politikanët e të gjitha ngjyrave, kur kalojnë siklete, të cilat i gatuajnë vetë dhe nuk ua pëlqen populli, drejtojnë gishtin nga gazetarët, fajtorë pa faj, por të kollajshëm për tu përfolur.
Bravo pra Fevzo, shiko punën tënde, ndonëse e di që s’ke nevojë për këshillën time. Mbaj ndonjë koqe hudhër në xhep dhe bëji dhe shijoi festat e tua, në televizionin tënd dhe për emisionin tënd!
Sepse dëshmove që edhe ai që të mbiquajti edhe ty “Kazan”, kryeministri pra, t’u fërkua dhe t’u përkëdhel, përpara kamerave si një ketër i butë dhe lajkatar, për të të bërë një qokë. Madje ishte edhe pa atlete dhe kishte veshur këpucë.
Ndoshta sepse thonë se ju shërua edhe gishti…
Dje pra, ishte edhe nje fitore e Gazetarit, jo vetëm një festë e ligjshme e Fevzos.