Gjatë fjalimit të tij të përditshëm nga dritarja e shtëpisë, ku ndodhet në arrest shtëpie, Sali Berisha bëri një paralajmërim për të ardhmen.
Teksa riktheu në fokus të deklaratës arrestimin e deputetit demokrat Ervin Salianji, ai tha se radhën këtë herë do ta ketë Gazment Bardhi.
Sipas tij Bardhi gjatë këtyre tre muajve të ardhshëm do të përfundojë pas hekurave.
“Qytetarë dhe qytetare, Ervin Salianji është sot në burg sepse guxoi të mbrojë interesin tuaj, sepse sulmoi në zemër dy vëllazëritë më të rrezikshme të drogës, vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama.
Qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj sonte se vëllazëria Rama dhe vëllazëria Xhafaj e festuan me shampanjë burgosjen e Ervin Salianjit.
Por jo vetëm kaq, ua them ju këtu, e festuan me betim njëlloj si padrinot në shpellat e mafies se për tre muaj, të njëjtin fat do ketë edhe Gazment Bardhi.
Sepse Gaz Bardhi, siç jeni ju në dijeni, e riktheu në skenë Olsin e Xibrakës, këtë kriminel trafikant, të pangopur, të cilin Edi Rama e përdor për punët e tij më të pista.
Edhe ne jemi sonte këtu, do jemi në ora 18:00 me datën 7 tetor me betim solemn, se vëllazërinë Xhafaj dhe vëllazërinë Rama dhe çdo vëllazëri tjetër, me forcën e ligjit, me gërshërët e ligjit do t’i çojmë atje ku e meritojnë.
Ka vetëm një rrugë për ne, betejë, betejë dhe vetëm betejë.
Cilido që mendon se krimi nuk duhet të vendosë për fatin e tij, se krimi nuk duhet të vendosë për vullnetin e tij, se krimi dhe droga nuk duhet të vendosin për të ardhmen e tij, duhet të bashkohet me ne ditën e hënë sepse në Shqipëri, krimi, droga, mafia janë vendimmarrësit absolutë kryesorë”, deklaroi Berisha.