Dhuna në familje duket se ka kapur shifra të frikshme për vitin 2017, ndërkohë që shumë nëna dhe vajza janë kërcënuar, dhunuar e madje vrarë.
Vitin që lamë pas janë raportuar mbi 4500 raste dhune në familje dhe nuk kanë munguar as vrasjet makabre.
Shifrat alarmante janë bërë të ditura nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila ka kërkuar forcimin e ligjit dhe mbrojtjen e grave të dhunuara.
Sipas statistikave brenda vitit 2017 janë raportuar plot 4543 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare ose 380 raste më shumë se viti i mëparshëm.
Këto të dhëna janë një kambanë alarmi për vepruar sa më parë për të eliminuar këtë fenomen që u ka marrë jetën dhjetëra grave dhe vajzave gjatë 2017-ës.
Vrasja në Kavajë
Një ngjarje e rëndë tronditi mbarë opinionin publik në nëntor pasi në fshatin Karpen të Kavajës, një burrë vrau me thikë bashkëshorten e tij pasi nuk kishte gjetur bukën dhe rrobat gati pasi ishte kthyer nga puna.
Vrasja ndodhi në shtëpinë e familjes Metushi ku Samiu 50-vjeç në gjaknxehtësi e sipër ka goditur disa herë me thikë të shoqen, Sosen.
Në oborrin e shtëpisë qëndronte i tronditur pa mundur të thotë asgjë, një nga djemtë e çiftit ndërsa motra e viktimës në gjendje të rënduar shprehet se askush nuk mundi ta parandalojë krimin.
Vrasja në Zvicër
Një krim i rëndë ka ndodhuë në Zvicër, ku një shqiptar vrau gruan dhe motrën e saj që u kishte ardhur për vizite në fund të vitit.
54 vjeçari më inicialet R.B, akuzohet se vrau gruan e tij Alma B, 38 vjeçe, dhe motrën e saj, Eldën, 31 vjeçare, në banesën e tyre në kantonin e Aargaut.
Media zvicerane raportuan se Elda kishte ardhur nga Franca, ku jetonte prej vitesh për të kaluar festat e fundvitit tek e motra e saj, Alma.
Më të dëgjuar lajmin e kobshëm, familjarët e viktimave, që janë nga Lezha, kanë udhëtuar nga Franca për në Zvicër. Kreshniku, bashkëshorti i motrës së tretë të viktimave, i cili jeton edhe në Francë.
Vrasja në Shkodër
Beqir Xhilaj nga fshati Guci e Re në Shkodër ishte martuar katër herë dhe ka vrarë dy nga gratë e tij.
74- vjeçari u arrestua në maj të 2017-ës për vrasjen e bashkëshortes dhe fillimisht i tha policisë se ajo kishte vrarë veten.
Ai e ka pritur grupin hetimor në banesë dhe ishte ulur pranë kufomës së saj dhe pinte raki. Madje ka qenë vetë Xhelilaj që ka njoftuar policinë, duke thënë se bëhej fjalë për një vetëvrasje.
Në momentet që u mor në pyetje nga ana e policisë, ishte mjaft i qetë, pa shfaqur asnjë shenjë tronditjeje.
Ndonëse ka mohuar autorësinë e vrasjes, disa orë më vonë, i moshuari e ka pranuar autorësinë e krimit.
Mësohet se ai kishte qëlluar 4 herë me çifte, çka bëri që prej plagëve të marra, gruaja të gjejë vdekjen në banesën ku jetonin në fshatin Guci e Re të Shkodrës.
I moshuari është baba i katër fëmijëve, ndërsa me Lumturien, 47 vjeçe, nuk kishte pasardhës. /JOQ.al/