Karriera e drejtueses së komanduar të Prokurorisë, Donika Prela është vënë në pikëpyetje nga vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Teo Jacobs, i cili e kritikoi për pagesën e taksave nga ana e bashkëshortit të saj. Në seancën që po zhvillohet në KPK për Prelën, vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jakobs, ështe ndalur te detyrimet e bashkëshortit të Prelës.
“Përse është paguar me para kesh burri juaj?Burri juaj nuk ka paguar taksat”, është shprehur Jacobs.
“Unë e bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri jo në vendet BE”, është shprehur Prela.
Bashkëshorti i Prelës ka të ardhura si inxhinier ndërtimi, ndërkohë për këto paga ai nuk ka paguar sigurime. Një arsye pse vëzhguesi i ONM-së u kap me Prelën.
Prela, drejtuese e Prokurorisë për Krimet e Rënda, po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Prela do të vlerësohet nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. Sipas KPK-së, Prela ka mosdeklarim të huamarrjes me 1 milion lekë në tetor të 2010-ës. Ndërkohë ka dyshime për huamarrje 25 mijë € në vitin 2010, të cilën e ka kthyer në 2014. Ka dyshime për çmimin e blerjes së një toke nga Donika Prela, të ardhurat e së cilës i ka paguar nga paga si prokurore. /Burimi:BW/