Një trup i pajetë i gjinisë mashkull, është gjetur në një kanal në fshatin Gjoc në Kavajë, ditën e djeshme, rreth orës 14:20.
Trupi i viktimës, i cili mendohet të jetë rreth moshës 60-70 vjeç, nga këqyrjet paraprake nuk rezulton të ketë shenja dhune në trup apo dëmtime të tjera.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e trupit të pajetë.
“Trupi i pajetë ka këto karakteristika fizike, është rreth 1.70 m i gjatë, me flokë të thinjura dhe në momentin e konstatimit kishte të veshur një këmishë me mëngë të shkurtra ngjyrë e bardhë me vija blu dhe të kuqe, pantallona ngjyrë blu e errët, si dhe në dorë mbante një orë me fushë të bardhë me mbishkrimin “Quartz-Woke”. Çdo qytetar që disponon informacion të nevojshëm është i lutur të telefonoj në numrin pa pagesë 112 ose në numrin e Sallës Operative 0694110202”, thuhet në njoftimin e policisë.