Në total, në buxhet, për periudhën janar- gusht, u arkëtuan 294 miliardë lekë, apo 9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme arritën në rreth 289.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.9 për qind ose rreth 5.54 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Për këtë periudhë, buxheti rezulton me suficit prej 4 miliardë lekësh. Ministria e Financave publikoi dje treguesit fiskalë të 8-mujorit të këtij viti.
Referuar të dhënave të tabelës fiskale, të ardhurat më të larta u arkëtuan nga tatimet dhe doganat. Si 8-mujor u arkëtuan 259 miliardë lekë, 4.3 për qind ose 10.7 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 99.6 për qind. Të ardhurat nga TVSH-ja, në total, janë realizuar në vlerën 93.3 miliardë lekë, me rritje 4 për qind ose 3.5 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe me realizim në masën 98.8 për qind të planit.
Ministria e Financave shpjegon se rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja kundrejt monedhës vendëse ka dhënë gjithashtu efekte të ndjeshme negative në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave. Edhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar në vlerën 25.1 miliardë lekë, me rritje 14.2 për qind ose 3.1 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017.
Për sa u përket shpenzimeve të përgjithshme publike, për muajin e tetë të vitit 2018, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj arritën në rreth 289.7 miliardë lekë, me një rritje rreth 5.54 miliardë lekë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Shpenzimet kapitale u realizuan në masën rreth 39.6 miliardë lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 13.5 për qind më i lartë ose rreth 4.7 miliardë lekë më shumë. Niveli i suficitit në muajin e tetë të vitit 2018 rezultoi në rreth 4.08 miliardë lekë ose rreth 3.98 miliardë lekë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në 101 milionë lekë. /Nga Dorina AZO/