Me buxhetin e ri, qeveria ka parashikuar rritje të pagave për mësuesit, mjekët dhe infermierët. Lajmin e mirë e dha ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
Ministri Ahmetaj deklaroi së për vitin e ardhshëm rritja e pagave do të tejkalojë nivelin e indeksimit për shkak të inflacionit. Ai tha se rritja do të jetë për sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë.
Kreu i Financave i dha shpjegimet pas interesimit të deputetit të LSI, Edmond Haxhinasto, nëse qeveria parashikon me buxhetin 2018 rritje pagash përtej indeksimit për efekt inflacioni. “Në buxhet ne kemi menduar rritje sektoriale për arsimin dhe shëndetësinë dhe po në këto sektorë do ta kalojë indeksimin”, sqaroi ministri Ahmetaj.
PAGAT
Buxheti i shtetit do të akordojë 1 miliard lekë për rritjen e pagave në arsim dhe shëndetësi. Burime nga qeveria thanë për gazetën se, rritja parashikohet të jetë 5 për qind për këto kategori, ndërsa detajet do të përcaktohen me një vendim të Këshillit të Ministrave.
Gazeta boton përllogaritjet e rritjes së pagës mesatare me 5 për qind për mësuesit e shkollave 9- vjeçare dhe të mesme, mjekët dhe infermierët. Efektet e rritjes do të nisin zbatimin nga 1 korriku.
Përfitues nga kjo rritje janë 31,370 punonjës mësimorë në sistemin parauniversitar. Aktualisht, paga mesatare e një arsimtari, pas rritjes që qeveria bëri nga 1 marsi, është 64,650 lekë për mësues të shkollës 9-vjeçare dhe 67,950 lekë për shkollat e mesme. Me rritjen 5 për qind që nis nga korriku, paga e një mësuesi në shkollën 9-vjeçare rritet 3232 lekë, duke arritur në nivelin e 67,882 lekë.
Për mësuesit në shkollat e mesme, rritja e pagës llogaritet 3397 lekë. Për këtë kategori, paga mesatare llogaritet të shkojë 71,347 lekë. Përfitues nga kjo rritje janë gjithsej 18,415 mjekë dhe infermierë, nga të cilët 4650 mjekë dhe 13,765 infermierë.
Për mjekët, rritja e pagës do të jetë në masën e 3,904 lekëve dhe për infermierët 2,278 lekë. Nga rritja, paga mesatare bruto e një mjeku do të shkojë në 81,999 lekë dhe për infermierët të shkojë 47,839 lekë.
PENSIONET
Buxhet i ri do të akordojë fonde edhe për rritjen e pensioneve në 2018. Referuar relacionit të projektbuxhetit, fondi për rritjen e pensioneve parashikohet 1,8 miliardë lekë, ku përfitues do të jenë 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Qeveria ende nuk ka përcaktuar detajet dhe se kur i nis efektet rritja.
Me fondin 1,8 miliardë lekë që kanë në dispozicion, pritet që Ministria e Financave do të përllogarisë që rritja e pensioneve të variojë 2 për qind. Në këto shifra, indeksimi i pensioneve kalon normën aktuale mesatare të inflacionit të ushqimeve në 1,7 për qind. Përfitues do të jenë rreth 600 mijë pensionistë, përkatësisht 453,511 pensionistë që jetojnë në qytet dhe 145,800 që jetojnë në fshat.