Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë mesazhin e tij prekës në Parlamentin Evropian, teksa vendi i tij ndodhet prej gjashtë ditësh i pushtuar nga Rusia.
I përlotur dhe me zërin që i dridhet, Presidenti Zelensky u shpreh se nuk di si t’i përshëndesë eurodeputetët me “mirëmëngjes” apo “mirëmbrëma”, pasi për disa qytetarë të tij në Ukrainë sot mund të jetë dita e fundit.
“Të pranishëm në këtë seancë plenare, ju përshëndes. Nuk di si t’iu falënderoj e përshëndes të gjithëve, pasi nuk mundem të them mirëmëngjes apo mirëmbrëma, sepse çdo ditë për disa njerëz është e fundit. Unë flas sot për qytetarët e mi, për qytetarët e Ukrainës që po mbrojnë duke paguar dhe çmimin më të lartë, po mbrojnë lirinë.
Jam i lumtur që është kjo frymë bashkuese, jam i lumtur që jeni bashkuar të gjithë vendet e BE. Nuk e kam ditur, por ky është çmimi që ne duhet të paguajmë”, tha Presidenti Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përshëndetur me grusht eurodeputetët e Parlamentit Evropian, të cilët u ngritën të gjithë në këmbë dhe duartrokitën në shenjë mbështetjeje ndaj tij dhe popullit ukrainas, që po përballet prej gjashtë ditësh me agresionin rus.
Zelensky mbajti një fjalim tejet prekës në PE, në një lidhje me “Skype”, teksa tha se Ukraina nuk do të thyhet nga pushtuesi rus. Mes të tjerash, ai bëri dhe një apel prekës që Ukraina të pranohet në Bashkimin Evropian me procedurë të përshpejtuar, teksa u shpreh se vendi i tij po përballet me sulme gjithnjë e më të përgjakshme nga Rusia.
Gjatë fjalës së tij, ai bëri simbolin e grushtit, jo vetëm si përshëndetje ndaj eurodeputetëve, por edhe si simbol i guximit, qetësisë dhe përballjes me forcat ruse të Vladimir Putinit.