Kryetari i PD-së, Sali Berisha reagoi sot pas deklaratave të Enkelejd Alibeajt ditën e djeshme se prej javës së ardhshme do të dalin kandidatët e grupimit të tij për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Duke folur në një deklaratë për mediat nga Kuvendi ai tha se “Çdo kandidat që del, gjoja, është në emër të Edi Ramës. Kjo është shumë e qartë, ne e kemi përcaktuar Edi Ramën si armikun numër një të PD-së, si njeriun që kërkon të zhdukë opozitën dhe PD-në, por si njeriu që do marrë përgjigjen më ndëshkuese për këto veprime, pasi PD është në të drejtën morale dhe kushtetuese për të qenë opozitë e pavarur.
Ju e shihni sot, përfytyroni për një moment, kjo marrëveshje ishte për tragjedinë e Shqipërisë, marrëveshje opozitë-pozitë, por jo si formacione politike, por si persona hajdutë. Klani Rama dhe klani Basha, kjo është e faktuar. Ai që ishte, se ka njerëz që më thonë pse e thua, se e them për të vërtetën, se ai ishte administrator i Simfonisë, ishte administrator edhe i Ramës, edhe i Bashës.
Mos të kujtojë kush se po bëj akuzë politike, por po them të vërtetën e hidhur. Ky njeri tha se dha dorëheqjen nga ndërmarrja e Bashës dhe jo nga Simfonia. Por pas një muaji rezultoi se ishte sërish te të dyja. Pra, kjo ishte pika e mjaltit. Kjo do ishte e tmerrshme, opozita e blerë me marrëveshjen mafioze të Portit të Durrësit.”.