AKU ka ndaluar hyrjen e 46.2 tone produkte të pasigurta nga Brazili për në territorin shqiptar si dhe ka ndëshkuar me 5.25 milione lekë kundravajtjet ligjore në 3 supermarkete në Tiranë.
“Ne Durrës u ushtrua kontroll në dy ngarkesa me produkte importi, të dyja me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë , nga ku rezultoi: 27 tone “Fileto pule” me ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella app)”- njofton AKU.
Njoftimi nga AKU
Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë ushtroi kontroll në 3 subjekte me aktivitet “Supermarket”, nga ku u konstatua: importim i produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin, ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jokonform ligjit.
Në PIK Durrës u ushtrua kontroll në dy ngarkesa me produkte importi, të dyja me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë , nga ku rezultoi: 27 ton “Fileto pule” me ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella app) dhe 19.2 ton “Kafe kokërr e papjekur” me mangësi në dokumentacionin shoqërues (certifikatë veterinare e palëshuar nga autoriteti zyrtar i vendit të origjinës).
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative si në vijim: 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 5.25 milion lekë për 3 subjektet, “Tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu” me destinacion asgjësimin për produktin oriz të importuar në kundërshtim me ligjin, si dhe “Kthimi në vendin e origjinës” për 46.2 ton produkte importi të vlerësuar si të pasigurta për konsum human.