Tashmë që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, la zyrtarisht mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që ta thërrasë për dëshmi javën që vjen.
Tahiri do të pyetet për lëvizjet e tij në Itali dhe Greqi, gjatë viteve 2014-2015. Në të dyja udhëtimet, ai ka përdorur automjetin tip “Audi”, të cilin ua kishte shitur Habilajve, përpara se të emërohej ministër dhe për të cilët thoshte se nuk kishte kontakte, edhe pse kushërinj të largët të tij.
Por provat kanë treguar një histori tjetër. Ish-ministri, gjatë kohës që ka qenë në detyrë, ka përdorur “Audin” e famshëm me targa të pandryshuara, në udhëtimet në Greqi dhe Itali.
Burimet brenda Prokurorisë së Krimeve të Rënda thonë se organi i akuzës do të kërkojë arrestimin e Tahirit, vetëm nëse ka prova të reja që e rëndojnë më shumë pozitën e ish-ministrit.
Deri më tani, Tahiri ka rimarrë mbrapsht pasaportën e tij të bllokuar me kërkesë të Prokurorisë, pasi Apeli ka argumentuar se ai nuk rrezikonte të largohej, për shkak edhe të funksionit të deputetit.
Por tashmë që nuk është më deputet, Prokuroria mund të kërkojë bllokimin e pasaportës si masë paraprake. /panorama.com.al/