Komisioni Institucional i Zgjedhjeve i Universitetit “Luigj Gurakuqi” nuk po mblidhet dot paraditen e sotme, ashtu siç ishte parashikuar, për të shpallur rezultatin e zgjedhjeve për rektor. Pas zyrtarizimit të rezultateve të votimit në 6 fakultetet, KIZ duhet të bënte vetëm përllogaritjet përfundimtare dhe të shpallte fituesin si rektor Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dekanët, Senatin e kështu me radhë.
“Çuditërisht”, sot në godinën e Rektoratit, nuk po arrihet të realizohet kuorumi i nevojshëm për mbledhjen dhe vendimmarrjen e KIZ. Sigurisht, mund të ketë anëtarë të këtij komisioni që janë mërzitur nga rezultati i votimit, por duhet të sillen si profesionistë, të dalin mbi emocionet e zhgënjimit për humbjen e garës të të preferuarit të tyre.
Çdo përpjekje për të zvarritur këtë proces, pasi pedagogët e studentët kanë folur me votën e tyre me 21 qershor 2024, vetëm i ul vlerat KIZ- it dhe anëtarëve të tij pasi rezultati i certifikuar nga komisionet e fakulteteve, nuk ka asnjë shans të ndryshohet. Verdiktet tashmë janë dhënë dhe KIZ- it i mbetet vetëm të certifikojë rezultatet.
Nëse ka mërzitje për humbjen e kandidatit të preferuar e të mbështetur haptas apo fshehtas, është momenti të fillojë punë sa më shpejt stafi i ri drejtues, me në krye rektorin Prof. Dr. Tonin Gjuraj. Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka humbur mjaft kohë, është momenti që të nis rikuperimi i kohës së humbur. Gara tjetër në këtë universitet, është pas 4 viteve.