Një nga kryebashkiakët e “30 qershorit” në Qarkun e Shkodrës shumë shpejt pritet të kalojë për verifikim në duart e Prokurorisë, i denoncuar nga opozita. Lajmi është konfirmuar për ShkodraWeb nga burime të besueshme. Prej mëse dy javësh, në një nga vendet fqinje po “gërmohet” në të kaluarën e njërit nga kryebashkiakët.
Fillimisht, ka qenë një iniciativë “private” por më pas, kërkimit të të dhënave i është bashkuar edhe opozita.
Kryebashkiaku në fjalë është një figurë mjaft e njohur publike dhe indiciet e para kanë dalë nga njerët pranë tij. Supozohet se e kaluara e tij jashtë Shqipërisë, nuk është e pastër, ashtu siç e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Përveç se po kërkohen dokumente zyrtare nga institucionet e drejtësisë së një vendi fqinj, po grumbullohen të dhëna edhe nga shqiptarë që jetojnë atje por edhe punëdhënës të kryebashkiakut aktual. Procesi nuk paraqitet i lehtë, pasi kryebashkiaku aktual nuk ka jetuar vetëm në një qytet por ka lëvizur. Madje, me intervale ka jetuar në Shqipëri dhe në vendin fqinj, lëvizje që po verifikohen edhe përmes sistemit TIMS kur opozita ka akses jo të drejtpërdrejtë, por përmes agjensive partnere të vendit tonë.
Rezultatet e kërkimit pritet të dërgohen në selinë blu në Tiranë, e cila pas verifikimeve të nevojshme, do të publikohen gradualisht siç ka ndodhur edhe në raste të tjera.
Burime për ShkodraWeb pohojnë se tashmë, edhe vetë kryebashkiaku është në dijeni të këtij “gërmimi” në të shkuarën e tij dhe po merr masa për të patur edhe ai dokumentet e veta për publikun. Ndërkohë, selia rozë e PS-së në Tiranë, i ka kërkuar këtij kryebashkiaku por edhe të tjerëve “të verifikojnë mirë” të kaluarën e tyre të padeklaruar. Paralajmërimi është i prerë për secilin: Nëse keni fshehur diçka në formularin e dekriminalizimit, nuk do të ketë asnjë mbrojtje politike!