Isli Hidi është futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur me klubin qipriot, AEL Limasol, i cili do të jetë kundërshtar i Vllaznisë në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Portieri tiranas qëndroi dy sezone te verdheblutë e Limasolit (2011-2012 dhe 2012-2013), duke fituar edhe titullin kampion në vitin e parë. Më pas, ai zgjodhi të vijonte karrierën te skuadra tjetër e qytetit, Apollon Limasol, aty ku ndër vite shqiptarët kanë qenë më të preferuar se sa tek AEL-i.
Por, cila është e veçanta e rivalit të Vllaznisë dhe sa shanse kanë shkodranët për t’u kualifikuar? Çfarë duhet të kenë kujdes të besuarit e Tomas Brdariçit në ndeshjen e parë dhe kush është arma më e fortë e qipriotëve? Këto, por jo vetëm, portieri 40- vjeçar që mbylli sezonin me Kastriotin, i rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Isli, Vllaznia përballet me AEL Limasolin në turin e dytë të Ligës së Konferencës dhe ju rezultoni i vetmi shqiptar që keni luajtur me skuadrën qipriote…
Të them të drejtën tani po e mësoj që paskam qenë unë shqiptari i parë që kam veshur fanellën e AEL-it. Sapo mësova për shortin, menjëherë kam pyetur për datat e ndeshjeve. Me siguri do të jem në stadium, të paktën në një prej dy takimeve që do të luhen në Qipro apo Shkodër.
Çfarë do të thotë për ju AEL Limasol, është ky një rival i pranueshëm për Vllazninë?
E sigurt është që AEL Limasol mbetet një klub i madh në Qipro. Por, që nga koha kur kam qenë vetë, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe kjo është e natyrshme, sepse kanë kaluar 8 vjet. Është një skuadër që edhe në këto sezonet e fundit, ka qenë në luftë për titullin kampion, pavarësisht se nuk ka arritur ta fitojë dot që prej vitit 2012.
Është skuadër e elitës në Qipro dhe mendoj se do të jetë shumë e vështirë për Vllazninë. Për të qenë i sinqertë, nga grupi aktual kam njohje me mbrojtësin Sotiriu, i cili është edhe pjesë e kombëtares së Qipros dhe do të kem mundësi ta takoj. Trajnerin aktual, Dushan Kerkez, e njoh, pasi kur unë kam luajtur aty, ai ka drejtuar të rinjtë e klubit dhe për shumë vite ka qenë futbollist në disa ekipe në Qipro.
Sa shanse i jepni skuadrës shkodrane për kualifikimin?
Në letër normalisht që AEL-i ka një përqindje më të madhe si favorite, duke ditur nivelin që kanë, lojtarët dhe buxhetin. Megjithatë, futbolli sot ka ndryshuar dhe nuk është e thënë se ke buxhetin më të madh dhe duhet të fitosh ti patjetër. Vendos shumë taktika që ndjek në të tilla duele. Gjithsesi, nëse stadiumi në Shkodër do të jetë si me Shirokin, atëherë Vllaznia i ka shanset për kualifikimin.
Me pak fat, mund t’ia dalë, nuk shikoj ndonjë gjë të pamundur. Unë dua që të kalojë Vllaznia, por varet se si e interpreton ndeshjen. Duhet të jetë shumë cinike ndaj AEL-it në ato raste që mund t’i paraqiten. Nuk besoj që mund të ketë shumë raste për gol, prandaj them që duhet të jetë cinike para portës. Mbi të gjitha të jetë një skuadër kompakte, të bëj atë që bëri me Shirokin, ku më pëlqeu shumë qendra e mbrojtjes.