Në vendet me demokraci të konsoliduar ekzistojnë katër pushtete – tre pushtetet tradicionalë dhe media – të cilët funksionojnë në harmoni të plotë sipas parimit të njohur checks-and-balances.
Në vendet me demokraci hibride apo me tendenca autoritariste, pushteti ekzekutiv “kalëron” tre pushtet e tjerë nëpërmjet dhúnës, mashtrimit apo korrúptimit.
Në janar 2020, mozaikut të pushteteve papritur ju shtua një “pushtet” i ri, ai i COVID-it i cili vepronte nëpërmjet frikës së gjithëpranuar të qenies njerëzore nga e panjohura, sidomos kur kjo është vrásëse.
Në vendet e tipit të parë, COVID-i u vlerësua ashtu sikundër është – një sëmundje epidemike që kërcënonte shëndetin dhe jetën e qytetarëve. U hartuan strategji për vlerësimin e situatës, parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe trajtimin e personave të prekur. Brenda pak javëve, strategjitë u përmblodhën në atë që sot njihet si “mantra” e kontrollit të COVID-it: Testo-Gjurmo-Trajto.
Në këto vende me demokraci të zhvilluar, me COVID-in u morrën ekspertët e shëndetit publik, mjekët dhe, sipas nevojës, profesionistë të fushave të tjera. Ndërhyrja në këto vende u bazua tek transparenca dhe krijimi i një partneriteti bashkëpunues midis qeverisë dhe publikut. Rezultatet janë të dukshme dhe nuk kanë nevojë për koment.
Në vendet diktatoriale apo gjysmë demokratike, pushteti i COVID-it u pa si një kalë ekstra që duhej shfrytëzuar për përfitimin politik të radhës. Shqipëria është shembulli perfekt! Kur sheh me gjakftohtësi masat e çuditshme të marra gjatë tre muajve të parë të epidemisë, gjen vetëm një shpjegim:
NJË MENDJE TINZARE E SHFRYTËZOI EPIDEMINË SI MJET PROPAGANDE DHE AGRESIONI PSIKOLOGJIK NDAJ QYTETARËVE TË FRIKËSUAR. SIPAS ANALISTËVE TË SJELLJES SË DIKTATORËVE, POPULLATA E FRIKËSUAR ËSHTË TERRENI MË I BEGATË PËR TË ZBATUAR NJË STRATEGJI TRUSHPLARJE DHE NËNSHTRIMI.
Për fatin e mirë të demokracisë, por për fatin e keq të personave që u sëmurën apo humbën jetën, propaganda nuk të çon larg. I dehùr nga flladet pranverore dhe i futur në qorrsokak nga të paaftët, pushtetit ju desh një farë kohe deri sa të kuptonte se situata nuk ishte ajo që dukej dhe se COVID-i qe kthyer nga një mundësi pushteti në një patate të nxehtë që duhej lënë sa më parë në dorë të dikujt.
Zgjidhja u gjet! Fajtor për dështimin u bë qytetari shqiptar, i terrórizuar që në fillimet e epidemisë, i lënë i pambrojtur dhe në mëshirë të virusit, i cili u rivendos në qendër të agresionit mediatik kësaj here për t’u shpallur si fajtori i madh! Dalja e situatës jashtë kontrollit dhe përhapja e COVID-it në popullatë me ritme të shfrenuara po shitet tashmë jo si dështim i qeverisë, por si dështim i qytetarit!
Edhe “kalorësit” janë zëvendësuar! Një turmë amorfe me politikanë të rangjeve më të ulta dhe teknicienë gjysmagjelë po vazhdon linjën e propagandës, duke pretenduar se qeveria e ka gjithçka nën kontroll, por problemi qëndron tek mosbindja qytetare për të mbajtur maskat, për të respektuar distancën apo për të larë duart!
NË FAKT QEVERIA NUK KA ASGJË NËN KONTROLL!
Situata në popullatë nuk njihet sepse nuk testohet mjaftueshëm!
Rastet nuk gjurmohen sepse metodat e përdorura për gjurmim janë ato të shekullit të 19-të!
Trajtimi nuk ofrohet në parametra bashkëkohorë sepse është lënë në dorë të një grushti mjekësh të stërlodhur të cilët nuk dinë ç’të bëjnë më parë – të trajtojnë pacientët që shtohen çdo ditë, apo të hartojnë protokolle për mjekët e familjes dhe t’i trajnojnë ata për përdorimin e tyre.
Rezultati është fatkeqësisht ky që shohim! Prej shumë javësh, Shqipëria renditet midis vendeve të para në Europë për nga numri i rasteve të rinj dhe vdékjève për banor. Për më tepër, situata nuk ka gjasa të përmirësohet.
TË BËSH POLITIKË DHE PROPAGANDË ME SHËNDETIN DHE JETËN E QYTETARËVE, I KALON KUFIJTË E LUFTËS PËR PUSHTET! KJO SHKEL ÇDO PARIM ETIKE DHE MORALI NJERËZOR!
SHPRESOJ QË POLITIKANËT DHE GJYSMAGJELËT T’A KUPTOJNË SA MË PARË SE COVID NUK LUFTOHET ME PROPAGANDË, POR ME STRATEGJI, NUK LUFTOHET ME FJALË BOMBASTIKE, POR ME PROFESIONALIZËM!
DHE, MBI TË GJITHA, TË KUPTOJNË SE COVID NUK ËSHTË LUFTË APO PUSHTET, POR NJË SËMUNDJE NGA E CILA KANË PËR DETYRË DHE MISION TË MBROJNË QYTETARËT, VOTUESIT DHE TAKSAPAGUESIT E TYRE! /Nga Erion DASHO, ekspert i Shendetit Publik/