Viti 2017 ka shënuar rritje të pazakontë të makinave të luksit në qarkullim. Ministria e Financave, e cila i ka përfshirë në taksim të posaçëm këto automjete që nga viti 2017 ka gjetur se numri i mjeteve luksoze në qarkullim është shtuar me 28% vitin e kaluar.
Në vitin 2016 kur u mor nisma ligjore për rritjen e taksave ndaj makinave luksoze numëroheshin 5400 të tilla, por në vitin 2017 u shtuan në qarkullim edhe 1541 automjete luksi.
Si pasojë e këtij fluksi, Ministria e Financave rriti të ardhurat nga taksimi i tyre, duke grumbulluar rreth 58 milionë lekë nga 19 milionë që kishte parashikuar.
Rritja e automjeteve të luksit dy vitet e fundit nxiti vigjilencën e qeverisë, e cila ndërmori një sërë aksionesh më 2016 -2017 ndaj mbajtëseve të tyre, me qëllim verifikimin e burimeve financiare me të cilat ishin blerë.
Sipas deklaratave të Policisë së Shtetit në kohën kur u bënë aksionet u gjet se shumë makina luksoze, “BMW X5”, “BMW X6”, “AUDI A6”, etj., ishin të trafikuara dhe pa dokumentacionin përkatës dhe përgjithësisht ishin futur nga pikat kufitare me Malin e Zi.
Në një fazë të aksionit më 2016 u bllokuan rreth 20 mjete, por më tej në 2017, automjetet e luksit panë rritje të shpejtë.
Në paketën fiskale të vitit 2017, qeveria vendosi të rrisë taksat për makinat e luksit, për automjetet mbi 7 milionë lekë.
Por nga janari i vitit 2018, kjo taksë paguhet nga automjetet me vlerë mbi 5 milionë lekë dhe me cilindrat mbi 3 mijë kubikë.
Ulja e kufirit të çmimit për aplikimin e taksës së makinave luksoze u bë me qëllim për të shtuar numrin e drejtuesve të mjeteve që paguajnë taksën.
Por teksa makinat e luksit janë shtuar, Shqipëria vijon të jetë vendi europian me numrin më të ulët të automjeteve për 1000 banorë, tregues ky që tregon se niveli i jetesës në vendin tonë vijon të ketë një diferencë të madhe nga kontinenti ku jemi të pozicionuar gjeografikisht.
Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2016, BE kishte mesatarisht 505 autovetura për 100 banorë, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT, Shqipëria kishte 420 mijë autovetura më 2016 ose 146 automjete për 1000 banorë me një rritje të lehtë nga viti 2015.
Gjithashtu sipas të dhënave të Nation Master Shqipëria, vijon të ketë numrin më të ulët të automjeteve për 1000 banorë edhe në krahasim me rajonin, ku shihet se me 2016 në Malin e Zi u regjistruan 309 makina, në Serbi 288 autovetura për 1000 banorë dhe në Bosnjë 2014 automjete për 1000 banorë. /BALKANWEB.com/