Ardit Krymi është i lumtur që Vllaznia mori tre pikët ndaj Dinamos, edhe pse paraqitja shpeshherë ka lënë shumë për të dëshiruar. Pas ndeshjes, ai pranoi për “SuperSport” se skuadra po mendonte më shumë për pikët në këtë pjesë të sezonit, sesa për paraqitjet, ndaj ato kishin prioritet.
“Duke pasur parasysh si kanë shkuar ndeshjet, që kemi bërë lojëra të mira, por rezultatet nuk kanë qenë të duhurat. Tre pikët kanë qenë oksigjen për ne dhe mendoj se jemi për pjesën sipër.
Kur je 2-0 normalisht kishim nevojë për tre pikët. Në këtë periudhë duhet të shohim pikët më shumë, u tërhoqëm. Jo se na e kërkoi trajneri, por ishte instinkti që donim të merrnim tre pikët.
Da Silva dihet për cilësitë që ka, ai dhe Latifi në fazën sulmuese janë perfekt për çdo gjë. Da Silva duhet të punojë për ekipin se cilësitë i ka. Lojtarë i mirë shumë është, por kur nuk punon për ekipin… Futbolli është lojë në grup, pastaj vjen individi.
Në verë janë afruar lojtarë si Latifi që ka bërë diferencën në kampionatin shqiptar e normalisht që duhet të pretendosh për kampion. Mendoj se kemi merituar më shumë, nuk jemi për të qenë 13 pikë larg Tiranës. Por kanë ndikuar episodet, arbitrimi herë pas here, se kemi ndeshje radhazi me karton të kuq dhe mendoj se kanë bërë diferencën këto gjëra. Është dashur që të jemi më cinikë herë pas here.
Mungesat ndaj Kukësit? Janë pjesë e formacionit bazë por mendoj se me lojtarët që kemi do të bëjmë maksimumin për t’i zëvendësuar”, tha Krymi.