Deputeti i “opozitës së re” në Parlament, Myslim Murrizi gjatë fjalës së tij në seancë plenare tha se pasojat e korona virusit do të jenë shumë të rënda në Shqipëri, që do të ndjehen pasi të kalojë kjo situatë.
Murrizi tha se në këtë kohë të vështirë qeveria ka gjetur mundësi që të miratojë ligje që nuk i shpërbejnë situatës së pandemisë, ndërsa konfirmoi se qeveria ka marrë 9.1 milion euro kredi për të stimuluar numrin e femrave në biznese dhe ngre dyshime nëse kjo nuk do të jetë një tjetër barrë në kurriz të shqiptarëve.
“Kuvendi përveç akteve dhe emergjencave ka gjetur kohë të miratojë edhe ligje që nuk janë në ndihmë të emergjencës. Ligje për pyjet. Një për koncesion, një për të ndarë kompetencat mes AKU dhe inspektoratit sanitar dhe kush do të mësyjë.
Është marrë një kredi 9.1 milion euro për të stimuluar numrin e femrave në biznese, por nuk e dimë nëse është ky qëllimi apo si ato që shqiptarët e kanë në kurriz dhe nuk dihet se ku shkojnë”, tha Murrizi.
Më tej ai u shpreh se ndihet i habitur nga shifrat që kryeministri ka nxjerrë në rrjetet sociale sa i përket familjeve të ndihmuara në të gjithë Shqipërinë.
“Më habit numri llahtar i familjeve të ndihmuara për qarqe të ndryshme. Çfarë ju pengon të bëni publike emrat e familjeve?
Ajo që duket se është propagandë është një sondazh i tre qarqeve. Është një mashtrim total, sepse qytetarët nuk kanë përfituar, siç thonë ju. Në Fier, sipas Ramës, kanë marrë ndihmë mbi 10 mijë familje. Po sa është shuma që kanë marrë, bëhet fjalë për qese apo për para? Ju thoni se keni ndihmuar në Gjirokastër 26 mijë familje, por i bie që të dalin tepër 6 mijë familje, sepse janë vetëm 20 mijë familje, dhe po e marrim të mirëqenë që janë ndihmuar të gjitha. Ku i keni dërguar ndihmat në Igumenicë”, u shpreh deputeti. /PanoramA/