Ndoshta asnjë protestë e mëparshme e opozitës nuk ka ngjallur aq shumë dilemma dhe skepticizëm sa kjo e sotmja. Megjithëse militantët e PD-së dhe LSI iu përgjigjën thirrjes së shefave të tyre u duk se këta të fundit nuk u ngritën dot në lartësinë e postit që mbajnë. Dhe kjo u duk edhe në rreagimet që e pasuan atë. Jo vetëm fakti si figura të njohura të opozitës, si Topalli dhe Bregu e injoruan, jo vetëm për faktin se edhe Astrit Patozi që shkoi ironizoi duke lënë që të kuptohej se donte një reagim të qytetarëve, por edhe zëra publikë që një vit më parë qenë mbështetes të çadres, ishin kritikë me mitingun e sotëm.
Kështu Agron Gjekmarkaj, që ka qenë shumë pranë opozitës dhe që nuk le rast pa fshikulluar me shkrimet e tij qeverinë tha se “Nuk pashë një vizion të ngritjes së opozitës. Mendoj që retorika ishte e vjetër, qoftë e zonjës Kryemadhi qoftë e zotit Basha”. “Nuk ishte nga ato protesta për ta rrëzuar qeverinë, për ta tronditur atë. Lulzim Basha i qëndroi thirrjes për protestë demokratike”, deklaroi ai në “Vizion Plus”.
Ndërsa në editorialin e faqes së drejtuar nga Blendi Fevziu “Opinion.al” gazetrjaDesada Metaj shkroi: “Protesta paqësore mund të jetë një vlerë e shtuar për qetësinë e qytetarëve indiferentë, por për ata që janë prekur drejtëpërsëdrejti nga kriminalizimi dhe korrupsioni i qeverisë ndoshta zhvillimi kaq i paqtë i protestës nuk mjaftoi. Dhe kjo në fakt duket të jetë dhe dilema e post protestës së opozitës, ndërsa shifrat e pjesmarrjes s’mund dhe s’duhen marrë kurrsesi në konsideratë nëse mungon motivi dhe frymëzimi për ta vijuar më tej atë që nisi sot në sheshin përpara kryeministrisë”.
Akoma më fshikullues qe qëndrimi i Fatos Lubonjës në një intervistë në News 24, i cili e quajti këtë miting si një simulim të politikanëve që nuk e kanë popullin me vete. “Duke e ditur që s’ke popullin me vete, popullin e zhgënjyer, të mbetet që të krijosh simulimin e një proteste me 300 vetë që bëri Rama në 21 Janar. Një popull i revoltuar shkatërron dhe rrëzon një qeveri. Po flasim për një revoltë të vërtetë popullore. Me këto lloj protestash, me këto lloj partish që kemi ne, që kanë një background qeverisje zhgënjyese nuk mund të ketë kollaj protesta nga ato që rrëzojnë dhe shkatërrojnë qeveri.”
Edhe brenda radhëve të demokratëve pakënaqësitë nuk kanë munguar. Kështu ish zv ministrja e jashtme e bashës dhe një mike e ngushtë e familjes Berisha, Edit Harxhi shkroi në llogarinë e saj në Twitter se demokratët u përgjigjën të gatshëm por lideri i zhgënjeu ata: “Qeveria nuk rrëzohet me protesta paciste si në Finlandë! Duhet të ngrihemi kundër establishmentit!” nënvizoi ajo.
Ndërsa ish presidenti Nishani nga News 24 i bëri Bashës thirje për ribashkimin e figurave të PD-së: “Në radhë të parë sot në PD duhet që të rimblidhen ribashkohen forcat energjitë, kontributet, jo qindra, por mijëra resurse njerëzore, të cilët që nga viti ‘92 kur PD u shfaq në jetën politike shqiptare, njerëz të angazhuar në politike, deputetë, ish deputete, ish-ministra, teknikë, mbështetës, etj; të gjithë këta duhet të jenë pjesë e një platforme angazhimi. Për secilin duhet ofruar, nxitur dhe i duhet lutur, për një angazhim të ri”.
Pra sejcili në mënyrën e tij është trguar skeptic ndaj mitingut të sotëm, i cili nuk është konsideruar si një përgjigje e denjë ndaj atij që opozita e konsideron si regjimi narkotrafikant i Edi Ramës. /lapsi.al/