Drejtoria Vendore e Policise Tirane njofton: Me datë 10 gusht u ndalua shtetasi me iniciale F.H., 59 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nusen e djalit, shtetasen me iniciale E.H., 20 vjeçe. Neni 108/a/2 i Kodit Penal”, tha dje zyrtarisht Policia e Kavajës.
Sipas deklarimeve të të dëmtuarës, ajo ishte martuar prej një viti dhe jetonte bashkë me të shoqin në shtëpinë e vjehrrit, edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes. Por gjatë javëve të fundit, ajo ka deklaruar se po përjeton gjendje ankthi dhe frike pasi ngacmohet seksualisht nga vjehrri i saj në çdo moment që rastisin vetëm në shtëpi.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti punon deri në orët e mbrëmjes dhe nuk ka dijeni për ato që kanë ndodhur. E dëmtuara është shprehur se nuk ka mundur t’i tregojë të shoqit, pasi kishte frikë se nuk do ta besonte.
Po kështu, as pjesëtarëve të tjerë të familjes së saj, apo edhe të familjes së bashkëshortit. Nga ana tjetër, 59-vjeçari i arrestuar ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Ai është shprehur se të gjitha janë shpifje të nuses dhe asgjë nga ato që ajo ka deklaruar nuk janë të vërteta.
Pas denoncimit të pazakontë, Policia dhe Prokuroria e Kavajës pritet të përcaktojnë të vërtetën me anë të veprimeve hetimore në vazhdim. Grupi i hetimit do të rimarrë në pyetje denoncuesen dhe vjehrrin e saj, si dhe anëtarët e tjerë të familjes dhe dëshmitarë të mundshëm për akuzat e 20- vjeçares.
Më pas, hetuesit thanë se do të bëjnë edhe një ballafaqim mes dy protagonistëve të kësaj çështjeje në lidhje me pretendimet e kundërta që ata kanë. Pas këtij veprimi, duket se do të përcaktohet ecuria e çështjes pasi, bazuar në deklarimet që ka dhënë 20-vjeçarja, ekzaminimet mjekësore e shkencore nuk mund të përbëjnë provë për këtë rast.
Pak javë më parë, një rast i ngjashëm me akuza të nuses ndaj vjehrrit u regjistrua edhe në zonën e Durrësit. Edhe në këtë rast, policia nuk gjeti prova, por vetëm deklarimet e nuses dhe të vjehrrit kundër njëri-tjetrit. /JOQ.AL/