Pasi Presidenti Bajram Begaj dekretoi emrat e rinj të ministrave të kabinetit qeveritar, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka firmosur urdhrin për mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme, e cila do të mbahet sot në orën 17:00.
Kjo seancë e jashtëzakonshme parlamentare ka për qëllim votimin e dekreteve të Presidentit për ministrat e rinj, por edhe votimin e kryetares së re të Parlamentit, Elisa Spiropali, e cila u propozua nga kryeministri Edi Rama në Kongresin e PS.
Spiropali do të zëvendësojë Lindita Nikollën, e cila dha dorëheqjen në seancën e fundit parlamentare.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar emrat e rinj të kabinetit qeveritar, konkretisht, Ervin Hoxhën ministër i Brendshëm, Petrit Malaj ministër i Financave, Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes dhe Taulant Balla ministër Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Presidenti dekretoi shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministrin e Financave, Ervin Mete.
Po ashtu, Presidenti dekretoi edhe shkarkimin e Elisa Spiropali si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kujtojmë që ndryshimet në qeveri u prezantuan nga kryeministri Edi Rama në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste që u mbajt në 28 korrik.
Ministri i ri i Brendshëm do të jetë Ervin Hoxha, i cili deri më tani mbante detyrën e kryeinspektorit të IMT. Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vijë Pirro Vengu, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës. Ndërsa Ministri i ri i Financave do të jetë Petrit Malaj, i cili deri tani ka mbajtur postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).
Ndërsa Taulant Balla, i cili ishte ministër i Brendshëm tashmë do të jetë ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, post të cilin e mbante Elisa Spiropali. Kjo e fundit do të jetë drejtuese e Parlamentit, pas largimit të Lindita Nikollës.