Oligarku rus Roman Abramovich po mendon të shesë klubin e Çelsit, të cilin e bleu në vitin 2003. Raportohet se shifra që Abramovich kërkon të shesë klubin është minimum 3 miliardë paund.
Pronari i klubit anglez do presë ofertat e biznesmenëve për blerjen e Çelsit deri në fund të kësaj jave. Biznesmeni rus përballet me kërcënimin e sanksioneve pas pushtimit të Ukrainës. Miliarderi zviceran Hansjorg Wyss pretendon se atij i është ofruar blerja e Çelsit.
“Ashtu si të gjithë oligarkët e tjerë, Abramovich është gjithashtu në panik. Ai po përpiqet të shesë të gjitha vilat e tij në Angli. Gjithashtu dëshiron të heqë qafe Çelsin sa në shpejt. Unë dhe tre persona të tjerë morëm një ofertë të martën për të blerë klubin”, tha ai për gazetën zvicerane Blick.
Megjithatë, tani është e qartë se Abramovich po përgatit strategjinë e tij të largimit nga klubi anglez. Të martën, u raportua se oligarku rus po përpiqet të shesë pronat e tij në Londër.
Sportsmail informon se ai ka shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe javët e fundit me synimin për të transferuar një pjesë të pasurisë së tij atje. Por një shitje e shpejtë të Çelsit është paksa e pamundur për shkak të hezitimit të çdo pale të interesuar për të blerë klubin për 3 miliardë paund.