Sipas një burimi për lapsi.al, ekziston një tjetër video ku përfshihen zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale duke takuar persona me precedentë penalë.
Po sipas këtij burimi, takimi ka ndodhur në një lokal në Vlorë dhe këta persona dyshohet se janë të grupit Habilaj.
Ky regjistrim, sipas burimeve për lapsin, është në zotërim të hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Thuhet se videoja është filmuar në një lokal në rrugën “Zaho Koka” pas një tubimi elektoral.
Pritet që kjo video të sjellë sërish turbulenca në sferën politike të vendit.
I ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Opinion”, gazetar i kronikës së zezë Artan Hoxha vendosi një video-kasetë mbi tryezën në krah të tij, por u tregua i rezervuar për të treguar ç‘kishte brenda.
Hoxha u shpreh se ekzistojnë regjistrime të takimeve të ndryshme të dyshimta në fushatën e kaluar elektorale.
Gazetari Artan Hoxha u shpreh:
“Në takime gjatë fushatës ka pasur disa foto. Duhet të bëhet një mësim për politikanët që nuk mund të afrojnë dhe të takojnë çdo personazh që mund t’u sigurojnë pak vota në fushatë. Në këtë fushatë janë regjistruar edhe këto filmime, mund të jenë bërë me dashje apo pa dashje por kanë rrjedhur.”.