Zjarret që kanë përfshirë vendin po shkaktojnë dëme të mëdha.
Mbi 1 200 hektarë është sipërfaqja e djegur. Prej të cilave, 724 hektarë pyje, 182 hektarë në zona të mbrojtura dhe 273 hektarë kullota.
Dëmi i deritanishëm, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Mjedisit është mbi 66 milionë lekë të reja, ose 500 mijë euro.
Po kaq po kushtojnë pothuajse operacionet për shuarjen e zjarreve. Pjesa më e madhe e tyre shkon për ndërhyrjet nga ajri.
Helikopterët e angazhuar në operacione kanë kryer qindra fluturime. Për çdo fluturim, kompanisë private që i disponon, Emergjencat Civile i paguajnë nga 150 mijë deri në 337 mijë lekë të reja.
Drejtuesit e Emergjencave flasin për afro 200 orë fluturime dhe përllogarisin rreth 500 mijë euro të tjera. Fondi i disbursuar deri tani për helikopterët është 230 mijë euro.
Në kostot paraprake nuk janë llogaritur shpenzimet për forcat zjarrfikëse apo ato të ushtrisë. Deri tani në të gjithë vendin ka pasur 280 zjarre, disa prej të cilave ka rezultuar se janë vendosur qëllimisht./gazetaexpress/