Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, falënderoi deputetët e opozitës parlamentare, që votuan sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se “duhet ta themi troç, që PD e LSI i ka kontaktuar këta deputetë dhe i ka udhëzuar që të votojnë sot”.
Mes të tjerash, numri dy i PS tha se nuk është e vërtetë që Kodi i ri Zgjedhor nuk përmban lista të hapura, pasi sipas tij, ai mund të kandidohet sërish i pari në listën e Elbasanit, por nëse nuk votohet nga qytetarët, do të zbresë i fundit.
Më tej, Balla sulmoi dhe kryedemokratin Lulzim Basha, teksa tha se ai është një humbës dhe do të humbasë sërish më 25 prill.
“Luli është një humbës, do të humbë sërish, por ne nuk mund t’i linim asnjë alibi atij për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. Nëse nuk i linim komisionet, ai nuk merrte pjesë në zgjedhje. Tani ai i ka komisionet”, shtoi ai.
Nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me një diversion të Ballës ndaj opozitës apo vertetë numri 2 i PS- së ka informacion në lidhje me atë çfarë deklaroi në Kuvend.