Shkruan në Facebook Benet BECI, deputet i PS- së Shkodër dhe kandidat i pashpallur për Bashkinë Shkodër me 14 maj 2023: Besoj si në shumë familje të tjera shkodrane, edhe unë jam rritur me histori të bukura të varkave e anijeve që ankoroheshin në liqen a Bunë dhe përdoreshin për tregti në një kohë kur Shkodra ishte një qendër e rëndësishme ekonomike për të gjithë rajonin.
Ndërsa lundrimi për qëllime tregtare është zëvendësuar me mjete më moderne transporti, besoj fort se liqeni e Buna duhet të jenë një shtëpi e madhe për mjete lundruese në funksion të turizmit, sportit dhe argëtimit.
Ndërsa kemi humbur shumë kohë të vlefshme pa bërë asnjë veprim në këtë drejtim, dje pata kënaqësinë të vizitoj punën që po bëhet në Zogaj për ndërtimin e një moli pluskues ( për t’u përshtatur karakteristikave hidrologjike e meteorologjike të liqenit). Moli është një nga tre të tillë që po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me bashkëfinancim të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Shqiptare. Dy të tjerët do të jenë në Shirokë dhe Shkodër e do të krijojnë mundësinë për ankorimin e më shumë mjeteve lundruese dhe të një kapaciteti më të madh.
Infrastruktura e ndërtuar nga ky projekt, e cila do të jetë gati për pak muaj, është një hap në drejtimin e duhur drejt një liqeni të mbushur me varka, tragete e kanoe, gjithmonë në respekt të vlerave unike mjedisore të liqenit. Më shumë duhet të bëjmë për të mbështetur biznese, organizata dhe individë të cilët kanë filluar hapat e parë për promovimin e lundrimit në liqen, i cili duhet të jetë një simbol i padiskutueshëm i liqenit tonë.
Pjesë e projektit është edhe ndërlidhja kufitare me lundrim dhe rrugë me fshatrat në breg të liqenit në Malin e Zi. Kjo do t’i hapë një perspektivë krejt tjetër turizmit, kur një turist që niset nga Budva për të vizituar liqenin në Virpazar do të mund të zbresë nga trageti në Shirokë, apo një turist që po viziton Kalanë e Shkodrës dhe Shirokën do të mund të zbresë nga trageti në Skje apo Virpazar.
Ndërsa do të bëj çmos që punimet e rrugës Shirokë-Zogaj-kufi, të vonuara përtej limiteve të arsyeshme, të fillojnë sa më shpejt, duhet të shohim hapin tjetër, mundësinë e lundrimit në lumin Buna për të cilin jemi në drejtimin e duhur.