Seanca e djeshme e Parlamentit ishte një çështje procedure parlamentare me rëndësi thelbësore për respektimin e shtetit të së drejtës, ardhur prej një ngjarjeje të rëndë të njohur me kohë nga publiku, gati dy vjet më parë. Por, dita e djeshme ishte njëkohësisht një moment i rëndësishëm për t’u ndalur dhe menduar thellë, si dhe për të vendosur para së gjithave interesat e stabilitetit të vendit, qëndrueshmërisë dhe përforcimit të institucioneve politike, shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë në paqe të Shqipnisë. Nuk ka më asnjë sekret: hapësira politike dhe paketa kontrolluese ekzekutive e vendit është e zanun me forcën e parasë dhe e ndotun nga ndërhyrja e pronarëve të padukshëm të trafiqeve në vendimmarrjen politike dhe të organeve të sigurisë publike.
Partnerët tanë strategjikë kanë marrë një vendim për të kthjelluar opinionin publik mbi atë çfarë ekziston në nëntokën e politikës shqiptare dhe që mban peng prej së paku katër vitesh integrimin e vendit. Nuk dua të përfshij askënd që nuk e meriton të përfshihet në këtë skenar, porse drejtuesit me fytyrë të vrerosur, ata të cilët mbajnë frerët e hapave ku ecën ekzekutivi, parlamenti, jeta ekonomike dhe politike e vendit, ata që kanë në dorë sot, për shkak të skemës formale të legjitimitetit, ditët, muajt dhe mandatin aktual, janë duke ecur mbi shinat e një interesi të ngushtë politik grupazhi, që bie ndesh në mënyrë të qartë me interesat e vendit dhe të socialistëve europianistë, brezit të ri të Shqipërisë dhe paqes sociale.
Një Shqipëri europiane duhet të jetë aksiomatikisht një Shqipëri e pastër dhe kjo pastërti fillon nga maja, Ekzekutivi, Parlamenti dhe respektimi i shtetit të së drejtës dhe pavarësia e Gjyqë- sorit. Por a jemi në rrethana të tilla? Të gjitha ngjarjet e rënda të ndodhura kohët e fundit, besoj që sugjerojnë pa diskutim një përgjigje negative. Është koha që Kryeministri i vendit të ndalet dhe t’i japë një zgjidhje logjike momentit që po kalon vendi: nuk është fjala për fatin e zotit Tahiri.
Si kritikues i hershëm i sjelljeve të tij në Ministrinë e Brendshme, unë këto ditë kam vendosur të mos “gjuaj” rastin e përsëritjes së mosaprovimit tim për mënyrën si e ka konceptuar ai institucionin më të rëndësishëm të qeverisjes dhe tipin e ndërhyrjes që ai i ka bërë organit të pavarur të Policisë së Shtetit. Por, nga ana tjetër, kushdo është në gjendje të kuptojë se ai ishte pjesë e një mekanizmi që kulmonte në urdhnimin e Kryeministrit, çdo ditë të mërkurë, kur zhvillohej mbledhja e kabinetit. Është fjala për të ardhmen e vendit në paqe e pastërti shtetnore: kjo hapësirë e Shqipërisë politike është ndotur në përmasa si kurrë më parë.
E gjithë sjellja qeverisëse, komportimi institucional, mënyra se si është konceptuar pushteti dhe janë kryer ndërhyrjet në ligj, në administratë, në polici dhe në sistemin gjyqësor, mënyra se si është shpërndarë buxheti në territor prej katër vitesh, mënyra e ashpër kryeministrore e nxitjes së një politike të ashpër penale, do të çonte këtu: në një shkelje masive të prezumimit të pafajësisë te çdo njeri i thjeshtë i këtij vendi dhe asimetri e trajtimit të njerëzve të barkut qeveritar politik, në një vend në kolaps institucional, në parlamentarizëm të vdekur nën policim, në përdorim dhune disproporcionale ndaj popullsisë dhe njerëzve të opozitës dhe popullin e thjeshtë në një ikje nga sytë këmbët nga ky vend.
Është koha të ndalemi për t’i hapur rrugën mbajtjes së shtetit në këmbë, me liri, ligj, tolerancë, respekt ndaj të drejtave të njeriut, parlamentarizëm të pastruar nga metodat enveriste dhe largim të klaneve mafioze nga politike. Sa nuk është shumë vonë. Është koha që urdhnimi qeveritar të heqë dorë nga metodat e themeluesve të Ministrisë së Brendshme të Diktaturës dhe taktikat dhe kurthet e “mësuesve” të pensionuar të organeve të sigurisë: jemi në vitin 2017, jemi në parlamentarizëm dhe nën operim të Kushtetutës.
Qeverisja e përgjegjshme dhe e shpjegueshme dhe parlamentarizmi real kanë nevojë për një mendje tjetër më të kthjellet, më vizionare, jo për nxitës përplasjesh pas çdo skandali, jo për mëndje Kalorësish të Vëngërt dhe Ironizues, që ëndërrojnë ndarjen e shqiptarëve në dy pjesë. Ka ikur koha e andrrës së impostimit permanent të pushtetit në një dorë jolegjitime, në një vend që ka një popull që aspiron integrimin në Europë dhe ka brenda në rolin e partnerit strategjik, që monitoron çdo gjë në ndihmë të publikut, përfaqësitë diplomatike të vendeve më demokratike të botës.
Jemi 3 milionë shqiptarë, që jetojmë në këtë vend ende dhe nuk arrijmë të qeverisemi pastër. Çdo ditë, kapjet e politikës pengojnë progresin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Politika mbase mendon se shoqëria shqiptare e penguar në ecjen drejt lirisë është ndalur dhe ka hedhur vëzhgimin nga kjo sallë dhe sheh se çfarë do të bëhej dje me mandatin e një deputeti? Unë them diçka tjetër: shoqëria shqiptare është ndalur dhe po pret e shkurajuar deri kur do të marrë fund kjo maskaradë dhe tatëpjetë e frikshme, të cilën e ka prodhuar salla parlamentare, kulisat e pushtetit dhe posaçërisht ambicia dhe errësimi i njerëzve që duan ta drejtojnë me çdo kusht këtë vend edhe katër vitet e ardhshme, pa llogaritur legjitimitetin e pushtetit që kanë marrë.
Sot është koha për të bërë zgjidhje politike. Nuk e kam fjalën për marrje të pushtetit në tavolinë, por për një zgjidhje institucionale dhe kushtetuese, që të rikthejë kornizën politike në rrjedhën e legjitimitetit e normalitetit. Brenda një muaji qeveria është në provë me të vërtetën, të cilën nuk e përballon dot me qetësi.
Imagjinoni çfarë do të ndodhë sikur volumet e dosjeve nga përtejdetit të mos ndalen. Dhe dijeni që nuk do të ndalen. A duhet pritur për një zgjidhje mbas tronditjeve të reja, apo koha kërkon që kjo gjë të ndodhë sot? Sistemi ka rënë, aspak për çudi, 6 javë pas konstituimit të qeverisë së dytë të zotit Rama, si borxh i pashlyem i tij dhe grupit të ngushtë që udhëheq me dorë të hekurt, ndaj zgjedhjeve të blera.
Unë mendoj që zërat e fëmijëve tanë, fëmijëve shqiptarë, e ardhmja në paqe e vendit, kërkon që koka të mbahet ulur kur ndodhin mynxyra të tilla në kupolë, dhe të kërkohet falje. Ka ardhë koha që, së paku një herë në këto 27 vite, me burrni, të shtrëngohet dora e mirëkuptimit, sipas zakonit të shqiptarit, që e don vendin dhe popullin e tij, për të lidhur besën e mbarë për rithemelimin e një sistemi të ndershëm politik.