Dëshmia e një oficere policie të Vlorës, është kthyer në provën e fortë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të kërkuar heqjen e imunitetit të ish-ministrit Saimir Tahiri dhe arrestimin e tij për akuzën e “Trafikut të drogës” dhe “Korrupsionit pasiv”. Një ditë më parëu përcollen detaje nga provat që Prokuroria paraqiti në seancën me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve, ku prova më e fortë u cilësua dëshmia e një oficereje policie në Vlorë, e cila ka pranuar të bashkëpunojë.
Kjo e fundit, thuhet se ka pasur njohje me Moisi Habilajn, trafikantin që përmend në bisedat e tij ish-ministrin, dhe mësohet se ka folur dhe ka dhënë dëshminë e saj para Prokurorisë kundër Saimir Tahirit.
Frika më e madhe e Prokurorisë në rast se ish-ministri i Brendshëm nuk arrestohet me autorizimin e Kuvendit është pikërisht intimidimi i saj.
Gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e Krimeve të Rënda ka mësuar në përgjimet e bisedave të anëtarëve të grupit, se kjo oficere ka qënë mike e kreut të grupit kriminal, Moisi Habilaj, i arrestuar pak ditë më parë nga prokuroria e Katanias.
Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria ka shoqëruar pak ditë më parë këtë punonjëse police, duke i administruar dëshminë e saj në dosje.
Mësohet se oficerja ka treguar miqësinë që ka patur me Moisi Habiljan, duke shtuar se ky i fundit i ka thënë se është kushëri i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm.
Ajo ka dëshmuar se kjo bisedë është bërë në një Bar-Kafe në qytetin e Vlorës Sipas kësaj ofiecere, Moisi Habilaj i ka pohuar se kishte siguri në këtë punë, pasi ishte kushëri i Tahirit. Madje ajo pretendon se Habilaj i ka premtuar se do ndërhynte lart për ta ngritur në gradë dhe për ta emëruar në një pozicion më të mirë punë në polici.
Oficerja, e cila ishte kthyer në informatore të Habilajve, ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë, por nisur nga situata, ka kërkuar garantimin e mbrojtjes fizike dhe jetës së familjarëve të saj.
Shkak për këtë lëvizje të saj, duket se ka qenë frika e arrestimit nga policia, duke pranuar të rrëfejë gjithçka di rreth lëvizjeve të grupit që drejtohej me Habilaj.
Dëshmia e oficeres është administruar tashmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dhe madje është përmendur në Këshillin e Mandateve si një provë e fortë ndaj ish-ministrit Tahiri. /balkanweb/
(Foto e polices qe shoqeron shkrimin, eshte thjeshte ilustruese)