Arbër Çekaj është pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë, në magazinat e kësaj kompanie në Maminas, i cili është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimi.
Çekaj ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar që prej datës 1 mars të këtij viti, ndërsa dje në orët e para të mëngjesit u bë i mundur arrestimi i tij. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se Arbër Çekaj u arrestua në një banesë në një provincë në Dyseldorfit.
Ndërsa zbulimi i vendndodhjes së tij u arrit gjatë shkëmbimit të informacionit mes oficerëve të Interpolit shqiptar dhe gjerman.
Mësohet se Çekaj, gjatë kësaj kohe, ka përdorur edhe mbiemrin Jansen, të bashkëshortes së tij, megjithëse zyrtarisht në dokumente vijonte të kishte gjeneralitetet Arbër Çekaj.
Burimet thanë se menjëherë pas arrestimit, nga ana e autoriteteve shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. “Në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë e huaja ligjzbatuese dhe konkretisht atë gjermane, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Arbër Çekaj.
Arbër Çekaj është pronari i firmës ‘Arbri Garden’, ku u sekuestruan 613 kg kokainë në kuadër të operacionit ‘Last snow’. U shkëmbye informacion në kohë rekord midis Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera, si dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky shtetas është kapur në një provincë pranë Dyseldorfit”, tha dje zyrtarisht Policia e Shtetit.