Një person është gjendur i vrarë me armë zjarri në Memaliaj të Tepelenës këtë të enjte. Mësohet se viktima është Alket Muho, 42 vjeç, informatori i policisë lokale. Muho u gjet i pajetë në Gllavë të Memaliajt, në fshatin ku edhe jetonte.
Dyshimet e para lidhur me ekzekutimin e 42-vjeçarit lidhen me një sinjalizim të bërë nga ai disa ditë më parë te organet ligjzbatuese.
Kohët e fundit, Muho informonte strukturat në Tiranë, pasi nuk gjente më mbështetje te policia lokale, tha burime për “Panorama”. Pikërisht, kështu ndodhi edhe në rastin e pak ditëve më parë.
Burime pranë grupit hetimor thanë për “PANORAMA” se disa më parë, ai ka informuar SHÇKB-në e Tiranës lidhur me disa parcela me hashash. Pas kësaj, SHÇKB e Tiranës, më 4 shtator, ka informuar policinë lokale për të ndërhyrë në vendin e sinjalizuar. Këta të fundit kanë ndërhyrë dhe kanë asgjësuar 8 parcela me lëndë narkotike, me rreth 4.800 bimë.
Ndërkohë, ditën e sotme, Alket Muho është gjetur i pajetë. Nga këqyrja parapake e kufomës, ekspertët e policisë kanë vlerësuar se ai është qëlluar me breshëri automatiku.
Njoftimi paraprak i policisë lidhur me ngjarjen: “Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A.M, 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj. Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”./panorama/