Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja Bedrie L., e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xhemal L., 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xhemal L., 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shtetasen Bedrie L.
Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, shtetasi Xhemal L. e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet prerës (thikë), për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja Bedrie L. nuk ka bërë kallëzim në Polici.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e shtetasit Xhemal L., i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.
Ky celular, bashkë me celularin e shtetases Bedrie L., janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen Bedrie L., të konsumonte lëndë helmuese.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.
Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases Bedrie L., në rrjetin social “Tik Tok”.