Maskat po bëjnë kërdinë. Brenda pak orësh tre vjedhje të ndodhura në Korçë. Raportohet se ngjarjet kanë ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit. Njëri prej bizneseve që ra pre, është një fabrikë për prodhimin e letrave, e cila e grabitur ndodhet në dalje të qytetit.
Autorët kanë arritur të grabisin një sasi të konsiderueshme lekësh nga kasaforta. Kasaforta ndodhej në një prej zyrave në katin e dytë të fabrikës, e cila ruhej me roje. Biznesi i dytë i grabitur me hidrosanitare ndodhej në aksin rrugor Korçë-Dishnicë.
Por gjatë natës në fshatin Bulgarec është grabitur banesa dhe biznesi, furrë buke ku autorët kanë marrë një sasi parash.
“Më datë 23.01.2019, gjatë natës, në fshatin Bulgarec, Korçë, në banesën dhe biznesin privat (furrë buke) të një shtetasi persona të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur një sasi parash. Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Dishnicë, gjatë natës në dy biznese private dyshohet se janë marrë sasi lekësh. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve”, njofton policia. /Burimi:BW/