Është zbardhur dëshmia e 34-vjeçarit, Lekë Vuksani, i cili akuzohet se ekzekutoi pronarin e banesës ku jetonte me qira, Petrit Vuksani mesditën e së martës (2 prill).
Para hetuesve, ai ka deklaruar se kishin debate për qiranë e shtëpisë dhe ditën e krimit viktima e kishte nxjerrë nga shtëpia. 34-vjeçari ka deklaruar se arma e krimit ishte e Petrit Vuksanit dhe “në debat e sipër gjeta një automatik, kam marrë armën dhe e kam qëlluar.”
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i vrasjes.
Pavarësisht pretendimit të 34-vjeçarit se arma e krimit ishte e viktimës, policia ka prova se arma është e Lekë Vuksanit.
Autori i dyshuar, Lekë Vuksani pasi ka dhënë rrëfyer ngjarjen dhe ka pranuar autorësinë e krimit, raportohet se nuk ka pranuar që ta firmosë dëshminë e tij.
Muajt e fundit, viktima dhe autori janë konfliktuar disa herë për qiranë, pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Pronari i banesës, Petrit Vuksani ka pretenduar se nuk janë paguar nga qiramarrësi Lekë Vuksani.
Ndërkohë, zbardhet dëshmia e gruas që ra pre e kërcënimit të Lekë Vuksanit, autorit të vrasjes së Petrit Vuksanit, dy ditë më parë në zonën e Shkodrës.
ShkodraWeb mëson se pas vrasjes ai ka shkuar në banesën e gruas në fjalë dhe më e ka kërcënuar me armë që të hapë derën dhe të mos njoftojë policinë. Mësohet se autori e njihte mirë zonën pasi përballë banesës ku trokiti për t’u fshehur kishte qëndruar me qira vëllai i tij.
Gruaja ka treguar se ai i ka thënë që nuk do i bëjë asgjë dhe ka ardhur në banesën e saj vetëm për të qëndruar.
“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”, deklaroi gruaja në banesën e të cilës qëndroi për disa orë autori i dyshuar i vrasjes.
Nga ana tjetër edhe vëllai i autorit të dyshuar ka dhënë deklarimet e tij përpara policisë. Ai ka thënë se kishte njohje me viktimën për shkak të miqësisë familjare. Mësohet se ai ka bashkëpunuar që nga momentet e para me policinë vendore të Shkodrës për lokalizimin e vëlllait të tij.
“Unë e kam njohur Petritin por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryentë vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”, ka deklaruar vëllai i autorit Lekë Vuksani.
Petrit Vuksani kishte rreth një muaj që ishte kthyer nga Anglia. Ai kishte shkuar të nxirrte nga banesa Lekë Vuskanin pasi ai nuk kishte kryer pagesat e qirasë. Mes tyre nisi një konflikt që përfundoi me një viktimë.