Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e mbrëmjes së të martës në Shkodër. Dy të rinj janë përfshirë në një shkëmbim zjarri në mes të rrugës. Në ngjarjen e ndodhur përballë spitalit të Shkodrës, mësohet se dy të rinjtë Armando Ndreu dhe Sadet Sala kanë qenë duke pirë sëbashku në një lokal.
Papritur dy të rinjtë në pije e sipër kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe janë konfliktuar. Sadet Sala, pronar i një furre buke, në vendin ku pati të shtëna ka goditur me grusht 32 vjeçarin. Ky i fundit ka shkuar në shtëpinë e tij që ndodhet në katin e 7-të të një pallati aty afër duke marrë një automatik kallashnikov dhe është rikthyer duke qëlluar në drejtim të Sadet Salës.
Ky i fundit ka arritur që t’i shpëtojë plumbave. Pasi Armando Ndreu ka marrë mjetin e tij për t’u larguar, në atë moment dyshohet se pronari i furrës së bukës Sala ka qëlluar edhe ai me një pistoletë katër herë por edhe 32 vjeçari i ka shpëtuar plumbave.
Nga të shtënat një plumb përfundoi brenda furrës së bukës në të cilën ndodhej shitësja e cila shpëtoi mrekullisht bashkë me kalimtarë të tjerë të rastit, banorët e pallateve që kanë shtëpitë aty dhe shitësit e subjekteve të tjera. Një plumb kapi edhe një mjet të parkuar në anë të rrugës. Dyshohet se 32 vjeçari Ndreu ka qenë në gjendje të dehur kur ka qëlluar.
Nga breshëria e plumbave nuk ka asnjë të plagosur apo të viktima por vetëm dëme material. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur policia ka mbërritur aty duke nisur hetimet paraprake. Efektivët kanë identifikuar autorin e dyshuar shtetasin, Armando Ndreu 32 vjeç, banues në lagjen Skenderbeg dhe pronarin e furrës së bukës, shtetasin Sadet Sala.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërsa të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shpallur në kërkim dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tyre. Ky shkëmbim zjarri ka frikësuar banorët dhe punonjësit e subjekteve të tjera aty pranë duke u ndjerë të pasigurtë.