Pas shkrimit të botuar dje në ShkodraWeb lidhur me rastin e një mësueseje rreth 50 vjeç, me iniciale Marinela Ç. (H), e cila kishte zhvatur përmes mashtrimit shumë persona në Shkodër, duke arritur të grumbullojë rreth 200 milion lekë të vjetra, raportime të tjera kanë ardhur në redaksinë tonë.
Mësohet se pasi ka marrë shumën e konsiderueshme të parave duke mashtruar e ankuar për gjendjen e rëndë shëndetësore fillimisht të ish- burrit e më pas edhe babait të saj (që ndodhet në Kanada), në gusht të këtij viti, ajo është larguar drejt Kanadasë ku jetojnë të afërmit e saj.
Disa javë më pas, ajo është shfaqur sërish në Shkodrës, ku sipas burimeve që i referohet ShkodraWeb, ka arritur të mbledhë sërish përmes mashtrimit “një dorë” parash, të cilat pasi i ka siguruar, është larguar përsëri drejt Kanadasë ku edhe ndodhet aktualisht.
Një detaj tjetër, është edhe kredimarrja në banka. Bëhet me dije se persona me të cilët ka patur lidhje/njohje/marrëdhënie, për llogari të saj kanë marrë kredi edhe në banka, duke lënë peng edhe prona. Tashmë këta përsona kërkojnë të komunikojnë me 50- vjeçaren, por nuk kanë asnjë mundësi.
Vazhdojnë të kontaktojnë ish- bashkëshortin, i cili me të drejtë u thotë se nuk kam si t’ ju ndihmoj, nuk kam asnjë komunikim me të sepse jemi në proces divorci.
50- vjeçarja piunoi për një kohë të gjatë mësuese tek shkolla “Martin Camaj”, ndërsa kohët e fundit tek shkolla “Ruzhdi Daka” në Bahçallëk. Kolege dhe të njohura të saj në fushën e mësimdhënies, pohojnë se jo rrallë u ka kërkuar para borxh në shuma të ndryshme. Më fatlumet, i kanë marrë mbrapsht paratë e tyre, pjesa më e madhe, me shuma të konsiderueshme, akoma nuk i kanë marrë, edhe pse afatet e premtuara nga Marinela Ç. (H), kanë kaluar me muaj.
Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar nga organet ligjzbatuese, bëhet me dije se tashmë kanë nisur edhe denoncimet e mësueses mashtruese në polici dhe prokurori. Mendohet se numri i të mashtruarëve, është rreth 50 persona.
Edhe ditën e sotme, persona që kanë komunikuar me ShkodraWeb, kanë bërë me dije se do të depozitojnë kallëzimet e tyre penale, edhe pse nuk kanë një ide se si mund ti rikthehen paratë e zhvatura përmes mashtrimit nga mësuesja rreth 50 vjeçare Marinela Ç. (H). /ShkodraWeb/