Janë mbushur 10 ditë që familjarët nuk kanë asnjë shenjë jete. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Sokol Rama, banues në fshatin Mamaj të Tepelenës, dhe shokun e tij, Roland Milo nga fshati Miçan i Frashërit në Përmet, rreth 40 vjeç.
Të parët që denoncuan zhdukjen ishin prindërit e Sokol Ramës, baba i dy fëmijëve të mitur. Në policinë lokale thonë se ai është me precedentë penalë, i akuzuar për vjedhje. Dyshimet janë se zhdukja e tij dhe shokut të tij nga Përmeti ka lidhje me transportin e lëndëve narkotike, pasi Rama është identifikuar nga policia lokale si transportues droge.
Efektivë të shumtë të policisë dhe një helikopter kanë krehur zonën ku telefonat e tyre janë identifikuar për herë të fundit. Bëhet fjalë për një zonë të thellë pranë Frashërit në Përmet. Ka dyshime se zhdukja e tyre mund të ketë ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës.
Sipas të njëjtave burime dy të rinjtë mund të jenë përfshirë në ndonjë incident gjatë transportimit të lëndës narkotike drejt Greqisë dhe të jenë fshehur në zonën e thellë malore të Frashërit në Përmet, ku janë përqendruar edhe kërkimet e Policisë. Nuk përjashtohet as pista që dy të rinjtë të jenë ekzekutuar nga grupe mafioze që i paguanin për të kryer transport droge për në Greqi, për shkak të ndonjë mosmarrëveshjeje.