Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi kryeqytetin, ku një 14-vjeçar u vra me thikë nga dy nxënës të klasës të klasës së nëntë. Të gjithë të miturit e përfshirë në ngjarjen e rëndë ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, por në klasa paralele.
Një ish-nxënës i shkollës në fjalë dhe një ish-shok skuadre me viktimën kanë rrëfyer se cili dyshohet se ishte shkaku i ngjarjes që shkaktoi sherrin që përfundoi tragjikisht për 14-vjeçarin e quajtur Martin, i cili ishte futbollist dhe luante me U-15 e skuadrës së Dinamos.
Të dy raportuan se shkaku i zënkës midis adoleshentëve ka qenë një vajzë në klasën e 9-të. Sipas tyre, vajza në fjalë kishte komunikim me viktimën dhe të miturin e plagosur që ndodhet i shtruar në spital, në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Ish-nxënësi i shkollës i cili kishte njohje me nxënës të tjerë që njihnin viktimën, shpjegoi se konflikti kishte nisur që të premten për shkak të një vajze, e cila fliste me të dy djemtë e përfshirë. Pas tensioneve që u shfaqën me përleshje fizike atë ditë, situata eskaloi në ngjarjen fatale të së hënës.
Një tjetër dëshmi erdhi nga një ish-shok skuadre i viktimës në futboll, i cili e përshkroi Martinin si një djalë të sjellshëm dhe me pasion për futbollin.
“Martini ishte një fëmijë i qetë, respektonte më të rriturit dhe nuk kishte konflikte as me fjalë, as me veprime,” tha ish-shoku i ekipit ndër të tjera.
Ai tha se Martini kishte luajtur më parë për ekipin U-15 të Partizanit, por së fundmi ishte transferuar te Dinamo. “Edhe kur ngacmohej, ai e injoronte dhe nuk kthehej me reagim të keq,” vazhdoi ai.
Ngjarja e fundit e tronditi thellë të gjithë të njohurit e tij, pasi askush nuk e priste që Martini të përfshihej në një situatë të tillë.