Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me bllokimin e një gomoneje në lumin Vjosa. Sipas njoftimit, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, kanë pikasur në det një mjet lundrues. Pasi ka vijuar ndjekja në det, ndërsa gomonia është detyruar të futet në grykëderdhjen e lumit. Më poshtë, njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Operacioni “Vjosa”, Policia parandalon një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike
Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë. Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det. Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit.
Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.
Policia sekuestroi 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.
Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë.