Dy vëllezër kanë kryer veprime të dhunshme kundër efektivët të “Shqiponja” brenda mjediseve të brendshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Zanafilla e ngjarjes së rëndë, është ndalimi nga policia i një mjeti të drejtues nga një 19- vjeçar në sheshin “Prek Cali”. Ky i fundit, ka tentuar të ikë me vrap gjatë kontrollit trupor por është kapur nga policia.
Në momentin e shoqërimit të 19- vjeçarit në komisariat, kanë ndërhyrë duke kundërshtuar me dhunë efektivët e “Shqiponja” dy vëllezër, 29 dhe 38 vjeç. Kjo ka sjellë arrestimin e dy vëllezërve të identifikuar nga policia si Marjan Doci dhe Mateo Doci.
NJOFTIMI I POLICISË
Vihen në pranga 2 vëllezër pasi kundërshtuan me forcë dhe ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Procedohet penalisht dhe një 19-vjeçar, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme. Automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 19 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Në momentin e shoqërimit të automjetit, shërbimet e Policisë janë kundërshtuar me forcë nga shtetasit M. D., 29 vjeç dhe M. M. alias M. D., 38 vjeç (vellezër), të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të automjetit dhe në ambientet e brendshme të Drejtorisë Vendore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.