Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, ish kryeministri Sali Berisha ka zbardhur debatet që ka pasur me kryetarin e grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, të cilin ai theksoi edhe një herë që nuk e njeh si të tillë.
Berisha tha se “opozita s’mund të përfaqësohet kurrë me të emëruar nga Taulant Balla. Kjo praktike merr fund e s’do e e njohë kurrë PD një praktikë të tillë”.
Ndërkohë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, Berisha tha se praktika e ndjekur nga mazhoranca, “përlyen qartësisht me aspektet e saj mafioze cdo lloj pjesëmarrje në një proces të cilin në kushte normale duhet të mirrnin pjesë të gjitha palët”.
Sali Berisha: Në mbledhje të grupit theksova se opozita s’mund të përfaqësohet kurrë me të emëruar nga Taulant Balla. Kjo praktike merr fund e s’do e e njohë kurrë PD një praktikë të tillë. Së dyti, denoncova me forcën më të madhe praktikën mafioze që ndjek Rama për procesin e zgjedhjes së Presidentit, praktikë që diskretiton institucionin e Presidencës e vetë zgjedhjen e Presidentit, praktikë kjo që përlyen qartësisht me aspektet e saj mafioze cdo lloj pjesëmarrje në një proces të cilin në kushte normale duhet të mirrnin pjesë të gjitha palët, praktikë që s’ka asnjë qëllim tjetër vec të nxjerrë nga zyrat e tij njeriun që do dhe që komandon.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha në një prononcim për mediat se në mbledhjen e grupit, “ka gjithmonë zhurmë se ndodh që vjen Berisha dhe pa asnjë lloj roli jep opinionin e tij, është i lirë ta japë opinionin, është influent lidhur me qëndrimin e grupit”.
Lidhur me procedurat për zgjedhjen e presidentit, Alibeaj tha se u la një mbledhje tjetër grupi ku do të japin mendimet e tyre deputetët dhe më pas do të ketë një qëndrim të grupit të PD.
Enkelejd Alibeaj: Sot, çështja e para e diskutuar ishte e agjendës parlamentare, tjetër çështje ishte qëndrimi që do dhe të mbajë PD lidhur me zgjedhjen e presidentit. Propozimi im si e kam thënë do duhet në mënyrë kolegjiale të konsultohen të gjithë deputetët për qëndrimin që do duhet të mbajë grupi parlamentar. Për këtë arsye u la një mbledhje tjetër ku do duhen të merren opinionet e secilit deputet, deputetët janë të barabartë e të sintetizohet një qëndrim final i grupit parlamentar. E kuptoni që mbledhjet e grupit parlamentar ka gjithmonë zhurmë se ndodh që vjen Berisha dhe pa asnjë lloj roli jep opinionin e tij, është i lirë ta japë opinionin, është influent lidhur me qëndrimin e grupit. Unë u them qëndrimin tim: procesi i zgjedhjes së presidentit është proces i rendësishëm pavarësisht faktit që me ndryshimet kushtetuese të marrëveshjes Berisha- Rama zgjedhja e presidentit fatkeqësisht degradon në raundin e 4-5 me 71 vota e kuptoni sa penalizuese është për opozitën që me një formulë tjetër do kishte të drejtën e vet e legjitimitetin për t’i vendosur këmbët në një këpucë mazhorancës e sidomos një mazhorance si e Ramës. Opinioni ynë i qartë: Rama nuk ka të drejtën ta zgjedhë presidentin. Nuk e ka se nuk ka 84 vota sot, por nuk e ka të drejtën as me shumicën e thjeshtë.