Dy persona dyshohet të jenë autorë të ekzekutimit të 30- vjeçarit Can Kariçi, mbrëmjen e së enjtes në Kodër-Kamzë të Tiranës.
Burime nga grupi hetimor thanë se makina tip “Audi”, që u gjet e djegur në Institut, është përdorur nga autorët, pasi brenda saj u gjet një armë zjarri tip “Kallashnikov”.
Dy personat e dyshuar, njëri ka qenë në rolin e ekzekutorit dhe tjetri bashkëpunëtor, pasi dyshohet se ka qenë në drejtim të mjetit.
Burimet thanë se nga hetimet e deritanishme është mësuar se 30-vjeçari Kariçi ka qenë në ambientet e bar-kafe “G…”, në zonën e Kodër Kamzës nën shoqërinë e një vajze para se të ekzekutohej.
Policia e ka marrë në pyetje vajzën që shoqëronte viktimën para ngjarjes, por deklarimet e saj nuk kanë ndihmuar grupin hetimor në drejtim të emrave të autorëve apo edhe të personave të mundshëm që viktima mund të ketë pasur konflikt.
DINAMIKA
Burime nga grupi hetimor thanë dje se Can Kariçi, pak para orës 20:00, ka dalë nga lokali duke hipur në makinën e tij tip “Golf 5”, me targa gjermane, ku u gjet edhe një armë zjarri tip “Bereta”, me fishek në “gojë”.
Nga ana tjetër, dyshohet se automjeti tip “Audi” i autorëve ka qenë i parkuar pranë lokalit ku ndodhej viktima dhe autorët e kanë pritur derisa ai ka dalë.
Në momentin që viktima është futur në makinën e tij, njëri nga autorët e ka qëlluar të paktën 4 herë dhe me nxitim ka hipur në makinën ku e priste shoferi dhe janë larguar nëpër rrugicat e zonës, duke dalë në Institut, ku edhe i kanë vënë flakën automjetit.
ARRESTIMI DHE LIRIMI
Më 26 shkurt të këtij viti, forcat speciale RENEA kryen kontrolle të befasishme në disa ambiente për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Policia e Lezhës ka dhënë informacion zyrtar për aksionin e zhvilluar në Milot, Kurbin e Lezhë nga Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin.
Gjatë kontrolleve sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera që dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale dhe është arrestuar 30-vjeçari Can Kariçi, poseduesi i armës së zjarrit dhe targave të vjedhura. Gjithashtu, u shoqëruan për verifikim edhe 5 persona me precedentë të mëparshëm penalë.
“Si rezultat i kontrolleve, në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë ‘GLOCK’, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit. /Panorama/